“Albin, dorëhiqu ose kërko falje” - Pamje dhe detaje nga protesta e fëmijëve të dëshmorëve kundër Kurtit - NACIONALE

“Albin, dorëhiqu ose kërko falje” - Pamje dhe detaje nga protesta e fëmijëve të dëshmorëve kundër Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Është mbyllur protesta e fëmijëve të dëshmorëve të UÇK-së, e thirrur kundër deklaratave që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati për ish-politikanin serb, Oliver Ivanoviq.

Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të përfunduar afër objektit të qeverisë, ku u vendosën të gjitha pankartat që protestuesit po mbanin në duar gjatë gjithë kohës.

“Marre”, “Dorëheqje”, “Kërko falje”, “Mos shkel gjakun e dëshmorëve” ishin disa nga parullat në këtë protestë, raporton gazeta Nacionale.

No description available.

Berat Beqiri, njëri nga organizatorët dhe fëmijë dëshmori, deklaroi se nuk do t’i harrojnë kurrë lëvdatat që Kurti ia bëri politikanit të vrarë, Oliver Ivanoviq.

“Kryeministër mos na shkel në gjak, stop devijimit të historisë. Nuk duam të bëhemi pjesë e fajit dhe tradhtisë. Më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj historisë. Deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme, ofendimet si ky i Kurtit do të pasohen me protestat tona. Durimin e popullit po e cilësoni si injorant dhe paaftësi. Nuk jemi as injorant dhe as të paaftë, dhe ne do t’iu kërkojmë llogari publike. Populli që ti e ke ofenduar, duron ndoshta, por nuk harron e as nuk falë kurrë. Ne fëmijëve të dëshmorëve kursena larg politikave dhe larg çdo gjëje. Mos na fyeni në ndërgjegjen dhe plagët tona. Albin dorëhiqu ose kërko falje”, deklaroi Beqiri.

Pjesëmarrës në protestë ishte edhe Tefik Sejdiu, familjar i tri viktimave në masakrën e Mitrovicës, ku i dyshuari kryesor ishte Oliver Ivanoviq.

“Kryeministër, unë jam dëshmitar kryesor kundër Oliver Ivanoviqit. Ty marre duhet me të ardhë. Kërko falje. Tre anëtarë i kam të masakruar. Kryeministër kërkoj falje. Turp. Marre për ty”, deklaroi Sejdiu para protestuesve.

Edona Gashi, vajzë dëshmori dhe organizatore e protestës, ka thënë se Kurti po i mbron kriminelët kurse nuk po i përmend heronjtë e Kosovës.

“Ivanoviq ka qenë shef i Rojeve të Urës, dhe organizator i paramilitarëve që ka pamundësuar jetën e shqiptarëve të Mitrovicës. Ka marrë pjesë në masakrën e Kovaçëve, dhe ku mbi 1 milionë shqiptarë janë dëbuar si pasojë e krimeve të Serbisë. Sot këtu jam ardh si një fëmijë që 24 vjet nuk e di se çfarë ndjenje është me thirr emrin babë. Dhe me pyet kryeministrin se çka po i pengon atij UÇK-ja dhe lufta jonë. Po e lartëson një kriminel dhe nuk po i përmend heronjtë tanë. A i vjen turp që një kriminel lufte e quajti hero dhe gjakun e dëshmorëve e ka shkelur me atë deklaratë? Po dua me pyet kryeministrin a të vjen turp me dalë para fëmijëve të dëshmorëve? Kryeministër a të vjen turp t’i hapësh edhe njëherë plagët? A të vjen turp t’u dalësh përballë grave kosovare të dhunuara nga kriminelët serbë? A ki turp për atë deklaratë? Prandaj kërko falje kryeministër. Edhe pse e di që ti nuk je në lëkurën tonë”, tha Gashi.

No description available.

Protesta e sotme është përkrahur edhe nga organizatat e dalura nga lufta, të cilat gjithashtu kanë kundërshtuar deklarimet e Kurtit.

Çfarë tha Kurti?

Një deklaratë e kryeministrit Kurti për politikanin Oliver Ivanoviq, kishte nxitur shumë reagime. Në një video të publikuar në facebook me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së Ivanoviqit, Kurti deklaroi se politikani serb kishte punuar për tolerandë ndër-etnike.

Përmes një videoje, kreu i Qeverisë i thuri lavde Ivanoviqit, derisa kërkoi zbardhjen e vrasjes së tij.

No description available.

“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”, tha Kurti.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar të martën se Kurti ka nënçmuar veteranët e UÇK-së, derisa kryeministrin e kritikoi në një konferencë për media edhe nënkryetarja Vlora Çitaku.

“Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës. E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i "Rojave të Urës" që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës. E kuptoj deri diku xhelozinë historike të një veterani të rrejshëm si Albin Kurti, por, nënçmimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kaloj asnjëherë para nesh dhe qytetarëve të Kosovës”, shkroi Krasniqi.

Sot lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“I dyti na vie si rehabilitim i një krimineli lufte. Oliver Ivanoviq ka qenë i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen dhe përndjekjen e shqiptarëve civil në veri të vendit. Si prijës i formacionit famëkeq ‘Rojat e Urës’ ai kishte organizuar dhe urdhëruar vrasjen e 31 civilëve shqiptarë para dhe pas luftës. Sot, ai cilësohet nga pushteti si ‘njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’. 31 civil të vrarë! 31 shqiptarë të vrarë nga njeriu multietnik i pushtetit. Çfarë mund të jetë më e dhimbshme se kaq?”, shkroi Abdixhiku.

Në anën tjetër, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se Kurti me këtë deklaratë nuk e ka mbrojtur Ivanoviqin, por ka treguar se ai është vrarë nga strukturat ilegale të lidhura me Vuçiqin.

No description available.
No description available.
No description available.

Lajme të ngjashme