Turpi ka emër: Deputet Muja u shërbye me të pavërteta e konspiracione në mbrojtje të Kurtit për Ivanoviqin - NACIONALE

Turpi ka emër: Deputet Muja u shërbye me të pavërteta e konspiracione në mbrojtje të Kurtit për Ivanoviqin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Reagimi i Vetëvendosjes ndaj gjithë poteres që shkaktuan fjalët e mira të Albin Kurtit për Oliver Ivanoviqin ishte i mangët. E megjithatë, një prej deputetëve kryesorë të partisë së tij, Armend Muja, i doli në mbrojtje. Por, kjo mbrojtje është e ndërtuar në të pavërteta. Qe pse.

Fillimisht, duhet përmendur që kryeministri Albin Kurti në një video-adresim në gjuhën serbe kishte thënë:

“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike.” – ishte shprehur Kurti.

Cila është në anën tjetër, apologjia që e bën Armend Muja?

Fjalia e tij e parë thotë si vijon: “Dje ka qenë pesëvjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Nuk ka qenë dita kur flitet për të këqijat që i ka bërë, por për të keqen që ia kanë bërë atij. Dita e djeshme është dita kur tregohet qysh Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer Serbisë më herët.”

Në fakt, në asnjërin prej rreshtave të thënë të kryeministrit Kurti në video-adresim nuk thuhet se Beogradi e ka kryer këtë krim, e as nuk denoncohet Serbia. Pra, qysh fjalët e para të tij shprehin të pavërteta.

Edhe pse po flitej për pesëvjetorin e vrasjes, Kurti nuk rresht së lavdëruari Ivanoviqin me fjalë të zgjedhura dhe i bëri shtatë epitete pozitive: “person i përkushtuar, person i hapur, i sinqertë, i mprehtë, i respektueshëm, person që punoi për të ardhme të qëndrueshme dhe person që punoi për Kosovë shumë-etnike.”

Çka thotë tjetër Muja?

Lexojeni fjalinë e radhës: “Oliver Ivanoviq u pat dënuar me 9 vjet burg për krime lufte, të cilat me shumë gjasë i ka kryer, ndonëse procesi ndaj tij u kthye në rigjykim nga EULEX-i. Qartazi, Beogradi është frikësua që Ivanoviq ka nisur të bashkëpunojë me EULEX-in dhe ai ka shumëçka që mund të tregojë.”

Pra, konspiracione kundërthënëse. Megjithëse nuk është plotësisht i sigurt (me shumë gjasë) se Ivanoviqi i ka kryer krimet, ai është krejtësisht i sigurt “qartazi” që Beogradi është frikësuar që ai mund të tregojë për krimet e tjera.

A bazohet diku?

Lexojeni ndërkohë fjalinë e radhës:

“Njëkohësisht, Ivanoviq e nisi pluralizmin politik te serbët në Kosovë duke kundërshtuar Listën Serbe. Këto duket se kanë qenë dy motivet kryesore që shpien në vrasjen e tij. Për këtë duhet të diskutohet tash.”

E tash, jemi në momentin që “duhet ta diskutojmë tash”. Pra, në Ivanoviqin si kundërshtar të Listës Serbe pasi fillimisht hodhëm konspiracione për të si kriminel lufte. Si mund të pajtohen këto dyja?

Dhe qysh e përmbush fjalën e tij?

“Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit pesë vjet me parë, sipas të gjitha gjasave, kemi humbur kundërshtarin më serioz të Listës Serbe dhe po ashtu një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.”

Përsëri u rikthyen në fjalorin e Mujës “gjasat”. Por, me çfarë të drejte ai e konsideron atë si “kundërshtarin më serioz të Listës Serbe”? Por, përtej këtij arbitrariteti kemi edh një herë ndërlidhjen e tij si “dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë” si një maskë për të mbuluar dyshimet për të si kriminel lufte (që Kurti i merrte si fakte të kryera).

“Qiky Oliver Ivanoviq!” – thoshte Kurti duke e akuzuar për vrasjen e 11 qytetarëve shqiptarë më 3 dhe 4 shkurt 2000 dhe për shpërnguljen e mbi 11 mijë qytetarëve tjerë nga veriu i Mitrovicës po në atë muaj.

Qysh të pajtohen gjithë këto deklarata të Mujës me njëra-tjetrën?

Reagimi i plotë i Armend Mujës:

Lajme të ngjashme