Edhe nëse Faton Peci fiton (çka nuk duket), ka humbur para Arian Tahirit në sy të Kosovës
Një grupit të brendshëm në “WhatsApp”, Faton Peci, ua kishte dërguar një paralele të vetes me “Bariun e Mirë”, Krishtin Jezus. Tashmë politikanit pushteti i kishte depërtuar, dhe krijuar një shtresë të re, thellë nën lëkurë. Apoteoza ose vetëngritja në status të krahasueshëm me hyjnoren, ishte kompletuar. Atë fotografi ia nxorën bashkëpartiakët. Ishte një karikaturë e çuditshme dhe bizarre. Dora e Jezuit që ruan qengjin me nje shtrirje që komunikon rehatim dhe dashuri dhe qengji që i vendos kokën në gjoks i sigurt dhe i ruajtur nuk ishte rasti te Peci. Qengji i Pecit ishte veç i kapur për marrëdhënie me publikun. Peci i kishte sytë te kamera. Kamera, aparat i pasinqeritetit. Pa intimtet, pa afërsi, pa ndjeshmeri. Ky imazh i Pecit mjaftoi për të përkthyer çka bluhet thellë në mendjen e tij: hubris politik dhe megallomani. Krejt kjo, megjithatë, ndihmohej me votë popullore – sigurisht, në krah të popullaritetit të Albin Kurtit. Dhe, Peci ecte: si te porosia e ungjjillit të Gjonit: si “Rehatuesi i Madh”. Por, në Mitrovicë, kur popullariteti në kurriz të Kurtit iu kthye në detyrim të garojë në kurriz të Kurtit, Pecit me ngadalë nisi t’i shembej vetëimazhi. Përzgjedhja e Pecit me dekret to autoritetit të Albin Kurtit për të garuar për udhëheqjen e Mitrovicës, a priori, pa u menduar dy herë, i komunikoi shumëkujt një fitore të lehtë, gati të padebatueshme. Peci, pas 12 tetorit “Kryetar i Mitrovicës”, fat dhe fakt i kryer. Dhe kështu, deri në debatin e parë, në qosh të mendjes edhe të vetë Pecit. Thënë biblikisht: krenaria erdhi pëprara shkatërrimit, dhe shpirti arrogant përpara rrëzimit.
Debati i parë...
Gjëja që nënvlerësohet, ajo kundrejt të cilës pritjet kalibrohen për të kollajshme – din të të befasojë thuajse çdo herë. Rasti Arian Tahiri. Pothuajse ‘incognito’ e djalë i ri ai doli nemesis i përsosur për Pecin. Në debatin e parë në ATV, Peci paraqitjen e nisi në shpërfillje të plotë të tij, dhe veten e mbajti arrogantshëm që prej fjalës së parë. Një moment gjatë debatit e përthëkoi krejt arrogancën e vet marramendëse. “Po unë jam figurë qendrore e politikës”, tha Peci, dhe përdrodhi qëndrimin trupor si shëmbëlltyrë dhe imazh të mendjelartësisë. Dhe kjo, teksa kandidati Arian Tahiri, po ia mbushte zbrazëtirat e llahtarshme të njohurive për Mitrovicën, që Faton Peci, në nëntekst e brendarreshtash, i komunikonte për të parëndësishme, për një figurë si ai: “...e politikës qendrore” dhe “eh more çun”.
Peshorja në opinionin publik, teksa ai debat po vijonte fundin, ndërroi masën e asaj se a ishte e mirëqenë fitorja e padebatuesheme e Pecit. Ky i fundit, i gërvishur në egon e tij, iu kthye formës së shantazhit: “Kam screenshota, t’i qes, s’del më në televizor hiç”. As një mijë e një profilet e Vetëvendosjes dhe Guxo-s, që punojnë me orar të plotë propagande në rrjete sociale, s’prenë klipe të ndonjë momenti triumfal të Pecit dhe t’i shpërndanin si parathënie të ‘fitores’. Ata të PDK-së, po. Kishin çka. Debatet që pasuan tashmë Pecin do ta bënin t’i përvjelë mëngët dhe të merret me punë të atypëratyshme, të menjëhershme, lokale: por, PR-i i tij ende me formulën “është njeriu më i votuar në Republikën e Kosovës, pas Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës” me përkthimin: votojeni edhe ju. As të dytin e tretin, Peci s’u mbivendos e as s’e ktheu valën e opinionit publik në favor të tij.
Debati i fundit, pa Pecin
Arian Tahiri i PDK-së, katër vjet nën tutelë të Bedri Hamzës si nënkryetar komune, doli të ketë absorbuar qeverisje lokale mjaftueshëm për ta mposhtur diskursivisht Pecin me kredencialet e “më të votuarit pas Albin Kurtit e Glauk Konjufcës në Republikën e Kosovës” dhe lavdin e investuar në të nga Albin Kurti në nivel qendror të qeverisë. Debatit të mbrëmshëm në “Klan Kosova” kandidati guxoist i tha ‘Jo’, dhe, me ç’duket, edhe ballafaqimit në person, ku e vërteta prodhohet nga fërkimi. Komunikimin me mitrovicasin Faton Peci e ktheu në komunikim të drejtpëdrejtë, të pakontrolluar, të pakonfrontuar, e pa ndërmjetësues.
Nëse Faton Peci fiton (çka s’duket) në Mitrovicë, ai megjithatë do të jetë kryetar që ka humbur para Arian Tahirit në sy të Kosovës. Mitologjia e Bariut të Mirë. të vetëshpallur, u zbeh shpejt kur u përplas me realitetin lokal.