Edhe Aliu si Kurti e Konjufca: Kërcënimi nga Serbia ekziston, s’po blejnë armë për fotografi po për përdorim
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kërcënimi nga Serbia vazhdon gjithmonë, pasi sipas tij, ata po armatosen në vazhdimësi.
Këto deklarata ai i ka bërë sot në një konferencë për media, kur u pyet mbi këtë çështje. Sipas tij, “Serbia po blen armatim për ta përdorur, e jo për ta fotografuar”.
“Sa i përket rrezikut nga Serbia unë nuk mund t’u jap përgjigje kompetente se jam ministër i Mjedisit, por mund t’ua jap mendimin tim që e kam nga përvoja politike në Lëvizje. Serbinë gjithmonë e kemi pasë kërcënim, dhe vazhdon të jetë kërcënim, jo vetëm nga deklaratat, por edhe nga blerja e armatimit që e bëjnë, blejnë në vazhdimësi, atë nuk e blen me fotografu, por me përdorë.” – tha ai.
Sipas Aliut madje, kur punojnë në përforcim, evitohet mundësia e luftës.
“Ai armatim që e blen Serbia sot na kërënon neve, dhe ne duhet të jemi gjithmonë syhapur, të përgatitur, dhe të armatosemi edhe vetë që të jemi gatshëm për mbrojtje çdo herë. Përgatitja jonë e largon luftën, sa do që të jemi, sa herë që most ë mendojmë që ai do të vijë, do të jemi të rrezikuar. Sa herë punojmë në përforcim, dhe mendojmë që jemi të kërcënuar, evitojmë mundësinë e luftës. Por kërcënimi nga Serbia, është në blerjen e armatimit që e kanë.” – tha ai.
Vlen të theksohet, se krerët e shtetit së fundi kanë përsëritur deklarata për rrezikun e një sulmi tjetër nga Serbia.
Çka tha Kurti?
Kryeministri i Kosovës në vazhdimësi ka folur për rrezikun e një sulmi të ri nga Serbia. Të njëjtën e bëri edhe javën e kaluar në një opinion të publikuar në “Neë York Times”
“Një çerekshekulli pas ndërhyrjes, roli i NATO-s në Kosovë dëshmon se organizata është më vendimtare se kurrë më parë. E kaluara e saj e fortë në vend dëshmon që demokracia dhe përkrahja institucionale për të cilat ajo ndihmoi të themeloheshin, bashkë me kërcënimet e jashtme që ndihmoi të ndaleshin, me sukses e ruajtën paqen. Fatkeqësisht, 25 vjet më vonë, ne po ballafaqohemi me luftë dhe kërcënime me luftë në Evropë edhe një herë. Këtu, paqja ruhet vetëm përmes aftësisë sonë për ta mbrojtur atë, kur sfidohet drejtpërdrejt, dhe rreziku i një sfide të tillë është më real se kurrë më parë.” – shkroi mes tjerash Albin Kurti.
Çka tha Konjufca?
Në një konferencë për media të martën, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Serbia po mbetet e pandëshkuar, dhe nëse kjo vazhdon, do të përsëritet skenari i 24 shtatorit.
“Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë. Një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë por që vazhdon të ketë bashkëpunim me Rusinë.” – tha kryeparlamentari.