Opozitë e analistë, të gjithë të ashpër ndaj Qeverisë pas ndaljes së pagave për grevistët - NACIONALE

Opozitë e analistë, të gjithë të ashpër ndaj Qeverisë pas ndaljes së pagave për grevistët

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Grevistët dhe mësuesit nuk kanë marrë asnjë qindarkë për punën e muajit gusht.

Kjo pasi ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar me anë të një konference të jashtëzakonshme për medie se grevistëve dhe mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar fare ato.

Ai pohoi se vonesa e pagave është shkaktuar nga vonesa në dorëzimin e listave të grevistëve.

Për të mos u mjaftuar më këtë, Murati ka ngritur gjithashtu një lumë akuzash ndaj Sindikatës së Arsimit.

Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga Këshilli Grevist, opozita e analistë të ndryshëm.

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, në një prononcim për Gazetën Nacionale ka thënë se kjo Qeveri është shembulli i mosqeverisjes, propagandës e linçimeve. Ajo akuzoi qeverinë se po dështon të përballet me kërkesat e qytetarëve dhe në vend të kësaj po praktikon qasje autokratike ndaj kërkesave të sindikalistëve grevistë.

“'Letërnjoftimi' më identifikues i partisë në pushtet është ai i paaftësisë, dështimit për t'u përballë me problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë. Partia në pushtet së fundmi është pajisur edhe me disa 'certifikata' - atë të qasjes autokratike ndaj kërkesave të sindikalistëve grevistë; e deri te dështimi në energji. E me gjithë këto 'certifikata' dështimesh të njëpasnjëshme, kjo qeveri është shembulli i mos qeverisjes por i ‘aftësisë’ për të propaganduar, kërcënuar e linçuar, mbase të vetmen që dijen ta bëjnë. Nga një qasje e tillë, sot Kosova është në kolaps - me blloqe që bien njëra pas tjetrës; me ekonomi të ngulfatur nga investimet e bllokuara. E fatkeqësisht, këtë po e paguajnë çdo ditë qytetarët, me mirëqenien e tyre, me vështirësim në skajshmëri të jetës së tyre të përditshme,” tha Halimi për Nacionalen.

E veprimin e ministrit Murati për ndaljen e pagave e ka quajtur ‘Sadizëm politik’ analisti Halil Matoshi në një prononcim për Nacionalen.

Ai ka thënë se sipas ligjit për greva, punëdhënësi nuk mund të ndëshkohet më asnjë masë në rast më ndonjë masë të caktuar disiplinore.

“Ashiqare është sadizëm politik. Kosova është demokraci kushtetuese e greva është e garantuar. Po ashtu Ligji për grevat sanksionon qartë (Neni 13) së punëdhënësi nuk ka të drejtë të ndëshkojë grevistet as me masa disiplinore dhe as materiale dhe as t’ua marrë punën,“ ka thënë Matoshi për Nacionalen.

Tutje, ai ka akuzuar ministrin Murati se me këtë veprim ka cenuar rendin demokratik mbi të cilin funksionon shteti i Kosovës.

“Kosova ka Ligjin kundër diskriminimit dhe besoj është e qartë së Ministri Murati me arrogancë e një sadisti e ka cenu rendin demokratik dhe ndarjen e pushteteve dhe për këtë jo grevë por duhet protestë e tërë qytetarisë. Komunat janë pushtet autonom në sferë të Arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm dhe për këtë kemi një verdikt të Gjykatës Kushtetuese në rastin e Kamenicës dhe reformën së Qëndron Kastratin. Hekuran Murati thjesht po provokon trazira në Kosovë që Qeveria të shmang temat e rënda të dialogut”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, Këshilli Grevist i BSPK-së në një konferencë të djeshme paralajmëroi ministrin e Financave, Hekuran Murati, me veprime ligjore për deklaratat e tij se punëtorëve do t'u ndalohet paga në grevë.

“Ne punojnë dhe do të zgjasë deri në momentin që qeveria Kurti ta ndryshojë qasjen. Greva do të duket edhe në opinion edhe më 1 shtator, të cilët po qëndrojnë edhe në punë, por më 1 shtator me këtë qasje, fëmijët do t’i gjejnë në shtëpi. Deklarata skandaloze e qeverisë e cila po mundohet të ndjellë frikë, është arsyeja që ne nuk dorëzohemi. Ligji për greva nuk ka dhënë asnjë mënyrë tjetër dhe qëndrimi i grevistëve është dinjitoz. Një deklaratë e sekretarit u bë për përkëdhelje nga ndokush prej Qeverisë”, thuhej në reagimin e BSPK-së.

Konflikti ndërmjet qeverisë dhe sindikatave është skenari më katastrofik në Kosovën e pasluftës, sipas Memli Krasniqit, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ka qortuar qeverinë e Kosovës se nuk ka zbatuar asnjë masë zbutëse në këtë rrethanë. Në vend të kësaj, thotë ai, administrata po ndërmerr veprime ndëshkuese kundër arsimtarëve dhe punonjësve.

“E përderisa qytetarët pyesin se ku është qeveria për të ndërmarrë veprime lehtësuese, qeveria vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat për shkak të grevës. Vetëm një qeveri e paaftë për të qeverisur dhe pa kurrfarë vizioni për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve mund të lëshohet në vendime të tilla arbitrare. Ky mentalitet sanksionues ndaj mësimdhënësve tanë nuk është parë e as dëgjuar në Kosovë që nga koha e okupimit serb dhe masave të dhunshme të viteve ’90,” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shprehur kundërshtimin e tij ndaj strategjisë së qeverisë për t'u marrë me sindikatat, duke e cilësuar ndalesën e pagave si ndalesë të burimit të vetëm të mbijetesës.

“Gjëja e fundit që familjet e mësimdhënësve e zyrtarëve publik kanë nevojë sot, është ndalesa e pagave të tyre - burimit të vetëm të mbijetesës. Në inflacion rekord, në krizë të paprecedentë terri veror, në investime kapitale minimale - ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik. E ftoj Qeverinë për dialog në vend të arrogancës. Mësimdhënësit e zyrtarët shtetëror janë njerëzit tanë. Familjet e tyre janë qytetarë tanë. Politika bëhet për ta. Shpërputhja e pushtetit me kërkesa qytetare - në këtë masë - nuk do të durojë gjatë”, shkroi ai në Facebook.

Reagimi pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", i pari i AAK-së kërkoi llogari nga Albin Kurti, ndërsa si kryetitull kishte vënë frazën: "Ndalu sa s'të kanë ndalë o Albin Kurti".

Ndërkaq, në po të njëjtin postim, kësaj radhe përmes një komenti, ish-kryeministri i vendit duke iu drejtuar ndjekësve të tij tha se këto thirrje nuk janë të një oponenti politik, por të një qytetari të shqetësuar me gjendjen në vend.

Kujtojmë që përveç ndalesës së pagave, ministri i Financave ka akuzuar SBAShK-un edhe se ka pasur diskrepancë në shuma të mëdha parash në raportet e saj financiare, në një sulm të paprecedent tjetër ndaj Rrahman Jasharajt dhe sindikatës së punëtorëve të arsimit.

Në lidhje me këto akuza, Nacionale ka provuar të marrë në prononcim kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.

Lajme të ngjashme