E turpshme: Në vend se të ofronte dorëheqjen, Peci i godet "rugovistët" e Thaçit
Dje u publikua një video, që në mënyrën më të përmbledhur e tregon një pamje të shëmtuar të shtetit e shoqërisë kosovare. Një vajzë e mitur e komuniteteve pakicë, të cilën jeta e vështirë e ka përplasur në rrugë si lypësare, u largua me dhunë nga një kafene në Prishtinë, derisa po kërkonte lëmoshë nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Ministri i Qeverisë së të majtit Albin Kurti, nuk lëvizë asnjë milimetër nga karriga për të ndalur këtë skenë, siç kishte vepruar vite më parë Xhelal Sveçla, tash ministër i Brendshëm.
Analistët pro-qeveritar si Shkëlzen Gashi e Rron Gjinovci, që dikur ishin kampionë të mbrojtjes së drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë, kanë qëndruar të heshtur karshi këtij skandalit të ministrit Peci. Gjithashtu, ishte e dhimbshme sa pak u komentua si ngjarje, duke lënë një ndjesi të pajtueshmërisë me këtë akt.
Shoqëria kosovare përveç që është raciste, është edhe seksiste, pra edhe këtë javë ka vazhduar diskursi seksist nga figura publike pa u shqetësuar fare për dëmet nga kjo gjuhë.
Ndërsa, ngjarja e ditës së sotme padyshim është rikthimi i Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shendetësisë.
Statusi nr. 1: Faton Peci
“Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheq, si dhe për t'i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej "veprime skandaloze." - shkruan ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Komenti jem:
Është e neveritshme indiferenca e ministrit Peci ndaj një femije që kërkonte lëmoshë. Sepse kjo përbën shkelje të të drejtave themelore te fëmijëve. Kaq mjafton për të qenë skandal ajo pamje.
A ka ma korrupsion se një fëmijë që do duhej te ishte në shkollë është duke kërkuar lëmoshë në kafenenë ku "defrehet" ministri, e cila pamje e dhimbshme nuk e sheqetëson aspak atë?
Nëse nuk je përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore, si Qeveri jeni përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve, për mbrojtjen e fëmijëve nga puna, dhuna dhe sidomos nga varfëria. Cili është suksesi i juaj si ekzekutiv në këtë çështje? Hë, pra cili?
Por kjo pamje e tmerrshme nuk është e tëra. Ministri, që qëndroi indiferent ndaj fëmijës që kërkonte lëmoshe, ishte po aq i "ftohtë akull" edhe ndaj dhunës që u ushtrua ndaj fëmijës së gjorë.
Dy groshë ndërgjegje mjaftojnë për të ngjallur një reagim ndaj një dhune të tillë. Fatkeqësisht, ndërgjegja duket të jetë fikur tërësisht te Peci, i cili duhet të jepte dorëheqje morale karshi indiferencës karshi dhunës ndaj vajzës, e jo të akuzojë kundërshtarët e tij politikë me gjuhë të papranueshme.
Statusi nr.2: Gazmir Raci
“E padrejtë me i ra në qafë Ministrit Peci për këtë rast. Duket qartë në video që është i fokusuar në bisedë dhe nuk e ka parë ngjarjen.
Ne të tjerët i shohim këto sjellje çdo ditë dhe nuk reagojmë.” - shkruan ndër tjera analisti Gazmir Raci.
Komenti jem:
Gabim je, z. Gazmir Raci. Qytetarët e zakonshëm nuk e kanë detyrë si zyrtarët shtetëror me i luftu shkeljen e të drejtave të fëmijëve. Ministri dhe Qeveria Kurti për këtë gjë paguhen. Nuk është faji i qytëtarëve pse ka kaq shumë lëmoshë-kërkues rrugëve të kryeqytetit. Që fëmijë të vegjël në temperatura tepër të ulta shtrihen në rrugë dhe mundohen më siguru bukën e gojës, ky është dështim i institucionëve shtetërore e jo i qytetarëve. E dështimin e institucionëve më së miri e tregoi pamja që ministrit nuk i bënte fare përshtypje që një fëmijë po kërkonte lëmoshë në kafeterinë ku ai gjendej. Nuk i bën fare përshtypje që fëmijët e vendit që ai drejton janë kaq të varfër. Gjithë mendjen dhe punën e ka vetëm si të arrijë të fitojë përballë "rugovistëve" të Hashim Thaçit.
Statusi nr 3: Ermal Sadiku
“Keni kujdes te premteve naten ne komunikacion. Burrat po pijne raki, po pihen e po ia lojne kerrin me vozite gruse.
Kujdes”, shkruan analisti Ermal Sadiku.
Seksizëm i pastër. Paragjykim se vetëm burrat pijnë alkool dhe dinë të vozitin. Madje, komenti i Sadikut lë të nënkuptohet se burrat edhe të dehur vozisin më mirë se gratë. Pra, nëse në gjendje të dehur nuk bën të vozitesh, atëherë aq më pak duhet lejuar gratë të vozisizin.
Mbi këto bindje, grave në disa vende iu ndalohet e drejta e vozitjes dhe iu cenohen shumë të drejta themelore. Kjo nuk është humor, nuk mund të bësh humor në kurriz të personave të paragjykuar, stigmatizuar dhe të diskriminuar.
Statusi nr.4: Arta Avdiu
"Është tragjike qysh Qeveria Kurti e ka menaxhu sektorin e shendetësisë gjatë këtij mandati. Po aq tragjike është edhe menyra se si VV e trajton Arben Vitinë, njeriun që i ka marrë 107 mijë vota në zgjedhjet e 14 shkurtit.” - shkruan aktivistja Arta Avdiu.
Komenti jem:
Unë jam Arta Avdiu dhe e konfirmoj statusin më lartë. Pra pajtohem plotësisht më këtë status. Kjo gjithë ka të drejtë. Pak shaka. Me këtë rast, urime të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë (dhe jo vetëm) festën e Krishtlindjes./ Redaktoi: Mirlind Behluli.

