E rrallë: Civilët izraelitë grumbullojnë rreth 1,7 milion shekelë për qytezën e sulmuar palestineze
Përmes një fushate të udhëhequr nga izraelitët për grumbullimin e fondeve, qindra mijëra dollarë janë dhuruar për banorët palestinezë të një qyteze në Bregun perëndimor, të cilës i ishte vënë flaka nga ardhësit hebrenj, tha të enjten organizatori i kësaj fushate.
Rreth 12 mijë izraelitë kanë dhuruar gati 1,7 milion shekelë (rreth 465 mijë dollarë) që nga fillimi i fushatës këtë javë. Fushata është një shembull i rrallë i bashkëpunimit mes izraelitëve dhe palestinezëve në kohën kur tensionet mes palëve janë rritur dhe kanë çuar në dhunë, raporton agjencia “Associated Press”.
Disa ardhës izraelitë bënë një turr të dhunshëm në qytezën veriore të Bregut Perëndimor, Hawara, të dielën vonë, duke u vënë flakën dhjetëra veturave e shtëpive, pasi dy ardhës ishin vrarë na një sulmues palestinez atje në ditën paraprake. Një palestinez u vra gjatë incidentit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Ky tërbim, rasti më i rëndë i dhunës së tillë në disa dekada, e nxiti aktivistin izraelit, Yaya Fink, pjesëtar i përkushtuar i fesë hebraike, që ta niste fushatën për grumbullimin e fondeve për palestinezët.
“Pata ndjenja shumë të këqija, kur pashë qindra hebrenj religjiozë që u munduan ta digjnin Hawara-n, përfshirë njerëz të pafajshëm”- tha ai, duke shtuar se kjo fushatë e përçon porosinë se “shumica e hebrenjve janë kundër ekstremizmit, kundër racizmit”. Aktivisti Fink tha se shumica e fondeve janë grumbulluar brenda 12 orëve të para të fushatës.
Ai tha se të hollat do t’u dërgohen si dëmshpërblim palestinezëve, pronat e të cilëve janë dëmtuar gjatë sulmit të ardhësve. Fink-u thotë se ka marrë kërcënime nga kundërshtarët e kësaj fushate dhe se është quajtur tradhtar për shkak të grumbullimit të të hollave për palestinezët pavarësisht nga fakti se disa prej tyre po kryejnë sulme.
Dhuna e ardhësve izraelitë ka nxitur reagime e dënime ndërkombëtare. Megjithatë, Qeveria e Izraelit, e cila përbëhet nga disa ultranacionalistë pro ndërtimit të vendbanimeve, ka shprehur pak zemërim dhe vetëm u ka bërë thirrje autorëve të sulmit që të mos e marrin ligjin në duart e tyre.
Megjithatë, disa ligjvënës kanë shkuar edhe më larg, përfshirë ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, i cili ka thënë se Hawara duhet “të fshihet” – por nga autoritetet shtetërore e jo nga qytetarët. Më vonë, ai u tërhoq nga kjo deklaratë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Ned Price, i bëri thirrje të mërkurën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që “publikisht dhe qartazi t’i refuzojë” komentet e ministrit Smotrich, duke i cilësuar “të neveritshme”.

