Raportohet për gjashtë palestinezë të vrarë nga bastisja e Izraelit në Bregut Perëndimor - NACIONALE

Raportohet për gjashtë palestinezë të vrarë nga bastisja e Izraelit në Bregut Perëndimor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trupat izraelite u futën të mërkurën në një qytet palestinez në Bregun e Pushtuar perëndimor, duke hapur zjarr e duke vrarë të paktën gjashtë palestinezë, përfshirë një burrë 72-vjeçar, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Ky ishte incidenti më vdekjeprurës brenda gati një viti të luftimeve në Bregun Perëndimor e në pjesën lindore të Jerusalemit, duke i shtuar gjasat për gjakderdhje të mëtejme. Grupi militant, Hamas, i cili e qeveris Rripin e Gazës, tha se “po i harxhohet durimi”, raporton agjencia “Associated Press”.

Ushtria izraelite dha pak hollësi për operacionine saj në qytetin verior, Nablus. Ky vendbanim njihet si bastion i militantëve dhe ushtria izraelite shpesh vepron atje.

Zyrtarët palestinezë thanë se tre nga të vdekurit të mërkurën ishin anëtarë të grupeve të organizuara militante. Megjithatë, i vrarë mbeti edhe një burrë 72-vjeçar. Nuk dihet nëse dy të vrarët e tjerë, të dy burra në të njëzetat, i përkisnin ndonjë grupi të armatosur.

Muajin e kaluar, trupat izraelite vranë dhjetë militantë në një bastisje të ngjashme në pjesën veriore të Bregut Perëndimor. Disa ditë më vonë, disa sulmues palestinezë vranë dhjetë izraelitë në Jerusalem.

Një zëdhënës i Hamasit bëri një kërcënim të tërthortë për forcat izraelite. “Rezistenca në Gaza është duke i vëzhguar krimet në eskalim të armikut kundër popullit tonë në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe durimi i saj po harxhohet”- tha Abu Obeda.

Të paktën 55 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor dhe në pjesën lindore të Jerusalemit këtë vit. Vitin e kaluar, gati 150 palestinezë u vranë në këto vende, duke e bërë atë vitin më vdekjeprurës që nga viti 2004, sipas grupit izraelit për të drejtat e njeriut, “B’Tselem”.

Lajme të ngjashme