“E padëgjuar që Lista Serbe të lejohet në zgjedhje, s’ndodh kjo askund në botë”: Mehmetaj sheh peizazh tjetër pas Banjskës - NACIONALE

“E padëgjuar që Lista Serbe të lejohet në zgjedhje, s’ndodh kjo askund në botë”: Mehmetaj sheh peizazh tjetër pas Banjskës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lista Serbe bëri thirrje që “sa më parë” të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe në Kosovë pas kërkesës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që serbët të futen në zgjedhje dhe “të marrin në duart e tyre levat e pushtetit”. Por, për gazetarin Lirim Mehmetaj, po qe se ndodh që – pas sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të udhëhequr nga ish-Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq – ky formacion politik të merr pjesë në zgjedhje “atëherë Kosova do ta legalizojë përmes procesit zgjedhor një grup që financon terrorizmin të udhëheqë me institucione të shtetit”.

Mehmetaj e sheh krejt peizazhin politik tashmë të ndërruar pas 24 shtatorit. Në një bisedë me Nacionalen ai thotë se “Lista Serbe më nuk mund të trajtohet veç si një parti politike e serbëve të Kosovës”.

Është krejtësisht absurde dhe e padëgjuar që të lejohet të marrë pjesë në zgjedhje të një shteti një grup që është bashkëpjesmarrëa dhe përkrahës i një sulmi terrorist ndaj po atij shteti. Nuk ka një rast tjetër në botë ku ka ndodhur kjo. Përvec se kryetari faktik i kësaj partie organizoi, mobilizoi, financoi dhe udhëhoqi grupin terrorist të përbërë me paramilitar në sulmin ndaj Kosovës, Lista Serbe i ka nderuar si heronj kriminelët e rënë dhe u ka organizuar ceremoni mortore me nderime të larta”, na thotë Mehmetaj.

Qeveria e Kosovës as nuk shpall as nuk organizon zgjedhje”, ka thënë dje zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Përparim Kryeziu, duke komentuar kërkesën e Listës Serbe që të shpallen “sa më parë” zgjedhjet e reja në katër komunat të banuara me shumicë serbe. Kryeziu u thirr në udhëzimin tejet të diskutueshëm administrativ që MAPL ka hartuar – ku kërkohet që përmes një peticioni prej 20% të votuesve të atyre komunave të thirren zgjedhje të reja – duke shtuar se shpallja e zgjedhje të reja “duhet të nxitet nga vullneti demokratik dhe burimor i qytetarëve”, siç e citoi REL.

Lirim Mehmetaj, tashmë e merr për fakt të kryer e të dëshmuar se “Lista Serbe gjithashtu ka dy zgjatime paraushtarake të shpallura grupe terroriste nga shteti i Kosovës, sic janë Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut”.

E çka përbën edhe problem madhor, për Mehmetajn, është se edhe “sipas sekuencimit te propozuar ne Bruksel nga BE per zbatim te Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, aty thuhet që struktura për vetëqeverise të komunitetit serb, pra Asociacioni, do udhëhiqet pikërisht nga këta të jashtëligjshëm”.

Në anën tjetër Kosova tash po thotë që as s'e ka ndërmend të kthehet në dialog pa u sanksionuar Serbia, e po ashtu ka propozuar për shkuarjen në zgjedhje një rrugë të diskutueshme siç është peticioni që në rastin më të mirë nga momenti kur fillon merr më shumë se 100 ditë të realizohet”, tha ai.

Për kryeredaktorin e Albanian Post është “problem i shumështrezuar” çështja e zgjedhjeve të reja në veri, ngase konsideron se “siç e kemi parë, asnjëra palë nuk janë të sinqerta me synimet”.

Unë nuk shoh zgjedhje tani në Veri. Por, nëse ndodhë dhe Lista Serbe lejohet të marrë pjesë atëherë Kosova do ta legalizoj përmes procesit zgjedhor një grup që financon terrorizmin të udhëheqë me institucione të shtetit”, përfundoi Mehmetaj.

I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petare Petkoviq, ka reaguar ndaj deklarimeve të qeverisë që zgjedhjet e reja mund të thirren në përputhje me Udhëzimin Administrativ të hartuar nga MAPL muajve të fundit.

I ashtuquajturi udhëzim administrativ është asgjë më shumë se mënyra përmes të cilës Kurti dëshiron të mbajë kryetarët e rremë dhe këshilltarët me çdo kusht. Gauleiterët e Kurtit që kanë marrë 3.5% të votës veç shqiptare nëpër zgjedhjet në kontenjerë në veri, nuk përfaqësojnë askënd dhe prandaj s’kanë legjitimitet”, ka thënë Petar Petkoviq.

Lajme të ngjashme