E klasifikuar: Pse mediet tjera s'ia dolën ta konfirmonin lajmin për Martin Berishajn nga AKK-ja?
Pas plasimit të informacionit nga Nacionale se ambasadori Martin Berishaj e kishte pësuar me kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsionit në Prokuori, shumë media e kanë pasur të vështirë ta konfirmojnë lajmin. Por, pse?
Siç merret vesh, informacioni i ofruar për Nacionalen ka të bëjë me një rast të lajmëruar pikërisht nga redaksia e kësaj gazete. Kjo ka bërë që AKK të ndajë informacionet pikërisht me Nacionalen, si iniciuese e rastit.
Në këtë rast, bëhej fjalë për Martin Berishajn – ambasador i Kosovës në Kroaci, ish-anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes dhe i dyshuar në një skandal të madh financiar në Slloveni.
Mediet tjera nuk kanë mundur ta marrin konfirmimin për rastin konkret për shkak të një ligji që ka hyrë në fuqi në muajin gusht të këtij viti (2022).
Për fat të keq, disa prej tyre edhe nuk ia dolën mbanë që të transmetonin në mënyrë të saktë gjithë informacionin.
Bëhet fjalë për Ligjin Nr. 08/L-01703/ për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Përgjigja e ofruar për mediet tjera nga Agjencia Kundër Korrupsionit:
“Në lidhje me pyetjen e adresuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar ta respektoj dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me Nenin 28 ( Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se: Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi. 2. Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen: 2.1. informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia, … 3. Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë sepse Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvilloj hetime dhe ndjekje penale”.