“E kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek” – A dështoi shteti në vrasjen e gruas nga kunata e saj në Dragash - NACIONALE

“E kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek” – A dështoi shteti në vrasjen e gruas nga kunata e saj në Dragash

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë Kosova u trondit nga një rast tragjik që ndodhi në Dragash. Një grua u vra nga kunata e saj.

Prokuroria në Prizren kishte qenë e njoftuar edhe më herët për rastin e dhunës në këtë familje, dhe më 21 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë. Megjithatë, aktakuza nuk paraqet asnjë nga masat mbrojtëse.

Më 26 dhjetor 2022 Saime Domazeti vdiq pas lëndimeve që dyshohet t’i ketë marrë në trup dhe fytyrë me copa të ndryshme druri, të cilat i kishin shkaktuar asaj gjakderdhje në tru.

Për këtë rast, dyshohet Nazire Abdyli kunata e të ndjerës, e cila gjendet në paraburgim, teksa para gjykatës ka pranuar se e ka goditur të ndjerën.

“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdese”, ka thënë e dyshuara në gjykatë.

Avokati i të dyshuarës, Besim Morina, në një përgjigje për “Betimin për Drejtësi”, thotë se ende nuk kanë pranuar raport të Institutit të Mjekësisë Ligjore, nga çka do të vërtetohej shkaktari i vdekjes. Teksa, hedh dyshime se ajo ishte vizituar ditë më parë nga një mjek, i cili nuk kishte konstatuar se viktima ka ndonjë problem.

“Kunata dyshohet se pas disa goditjeve me një mjet të fortë, copë dru, e ka goditur të ndjerën disa herë, me çka, tani për tani thuhet se si rezultat i këtyre goditjeve e ndjera edhe ka vdekur, por, të shtojmë edhe këtë fakt se ne tani për tani, nuk kemi pranuar raportin e IML, pra të obduksionit, ku sigurt aty do të vërtetohet se si rezultat i çkafit e ndjera vdiq, pra nga goditjet me mjet, apo ndonjë komplikim tjetër shëndetësor”, ka thënë ai.

Megjithatë, kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, ka thënë se kjo vrasje nuk ka mundur të parandalohet.

“Nuk ka mujt askush ta parandalojë askush një gjë të tillë dhe me të vërtetë nganjëherë nuk i shoh të arsyeshme, të logjikshme që të mendohet që në gjithë njerëzit t’i fusim në paraburgim nën gjykimin apo dyshimin se mund të kryejnë ndonjë vepër penale në të ardhmen…”, është shprehur Shala.

Lajme të ngjashme