E futën në një thes me Agim Ademin dhe e krahasuan me qentë: Sulmet që përjetoi Jasharaj këtë javë nga pushteti - NACIONALE

E futën në një thes me Agim Ademin dhe e krahasuan me qentë: Sulmet që përjetoi Jasharaj këtë javë nga pushteti

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, është bërë shënjestra e fundit e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

Përfaqësuesi i punëtorëve të arsimit nuk kishte përtuar t’i futej përplasjeve edhe me pushtetet e mëhershme duke dalë shpesh fitimtar prej tyre. Sidoqoftë, me Qeverinë Kurti II gjendja është paksa më e ndryshme.

Kurti së fundi njoftoi masën e ndihmave prej 100 eurove për një numër të madh kategorish, ndër tjerë edhe për punëtorët e arsimit. Sidoqoftë, kërkesa e Jasharajt ishte që përfitimi prej 100 eurove për punëtorët arsimorë të ndodhte deri në kohën e miratimit të Ligjit të Pagave.

Derisa kjo luftë mes kryesindikalistit Jasharaj dhe kryeministrit Kurti vazhdon, sulmet e ulëta nga kampi i këtij të fundit janë bërë edhe më të ulëta.

Vetëm gjatë javës së fundit, ai ka përjetuar një numër të madh sulmesh ad hominem nga të paktën katër eksponentë të rëndësishëm të pushtetit.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, gjatë ditës kur po protestohej nga sindikalistët kundër Qeverisë postoi një fotografi në rrjetin social Instagram me mbishkrimin: “Protestë. Bllokadë”.

Kjo qasje vulgare dhe arrogante ndaj qytetarëve të Kosovës prej pushtetarëve ka qenë e pranishme edhe në të kaluarën, nga qeveritë të cilat Vetëvendosje i kishte akuzuar për një gjë të tillë.

Por, sulmet personale nuk mbaruan këtu.

Deputeti Mefail Bajqinovci, pa u lodhur që të ofronte ndonjë fakt, e ka etiketuar z. Jasharaj si “njeri të PAN-it'.

“Nuk shkojnë në protesta punëtorët, sidomos jo ata të arsimit, kur e kanë të instaluar Rrahman Jasharajn e PAN-it në krye” – u shpreh z. Bajqinovci.

PAN ishte shkurtorja e koalicionit mes partive të luftës, PDK-AAK-Nisma.

Në anën tjetër, një tjetër deputet e lidhi figurën e Jasharajt me të dënuarin për kanosje dhe korrupsion, Agim Ademin nga FFK, po ashtu pa ofruar ndonjë fakt.

“Pardje Rrahman Jashari në arsim dhe sot Blerim Isufaj në kryeprokurori e Agim Ademi në futboll tregojnë që ende është i kapur përbrenda shteti i Kosovës”, shkroi Adnan Rrustemi i VV-së.

Se si e ka bërë ‘kapjen’ një qytetar i thjeshtë i Kosovës si z. Jasharaj është e vështirë të imagjinohet, por në një intervistë për Nacionalen Ymer Ymeri nga SBAShK-u kishte gjetur tendenca nga pushteti i VV-së për kapjen e kësaj sindikate nga duart e Jasharajt.

I pyetur se për çfarë arsyesh pushtetarët thonin se SBAShK-u është i kapur, Ymeri ishte përgjigjur si vijon:

“Ata këtë e thonë, jo pse e kanë këtë bindje që ne jemi të kapur nga parti që më parë ishin në Qeveri, por nga dëshpërimi që s’kanë pasur gjasa për të nderhyrë në zgjedhjet tona përkundër përpjekjeve dhe deklarimeve publike që kanë pasur shpesh.”

Ndërkohë, edhe analisti i afërt me Vetëvendosjen, Xhevdet Pozhari, ka lansuar një sulm personal dhe kërcënim ndaj z. Rrahman Jasharaj gjatë ditës së djeshme.

“Paj, masi nuk ka mësimdhënës si dikur që një person si ti nuk e kishin lënë as para shkollave me ndejt, lirisht bllokoje!

Veç ishalla nuk ju shkon mendja mandej fëmijët me na i maltretu gjatë verës me mësim plotësues. Se nëse mësimdhënësit heshtin, ne prindërit hiç nuk pritojmë me ja kallxu vendin një sharlatani.– u shpreh z. Pozhari.

Ç K A mund të ngjajë?

Më 20 prill është paralajmëruar protestë nga ana e SBAShK-ut pas mosrealizimit të kërkesave nga ana e Qeverisë.

Sulmet personale ndaj z. Rrahman Jasharaj e kanë bërë edhe më të vështirë komunikimin normal mes këtij të fundit dhe kryeministrit Albin Kurti.

Greva e mundshme që do të përfshinte sistemin arsimor mund të ketë pasoja të rënda për ecurinë e këtij viti arsimor por në veçanti edhe për situatën aktuale politike të vendit.

Gjuha e urrejtjes, ndërkohë, që po ushtrohet ndaj z. Rrahman Jasharaj është mjaft shqetësuese. Kryesindikalisti prapa vetes ka vetëm mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë të arsimit, por për habi jo edhe aktivistë për të drejta të punëtorëve apo edhe për të drejta të njeriut duke marrë parasysh sulmet mbi dinjitetin e tij.

Qeveria e Kosovës kishte premtuar se do ta çonte për shqyrtim në Kuvend draftin e Ligjit të Pagave qysh në muajin mars por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Lajme të ngjashme