E fotografuar si fëmijë refugjat në Shqipëri gjatë luftës, flet për gazetarin Krasta vajza nga Kosova
Fotoreporteri Gent Shkullaku, gjatë kohës së luftës, kur kosovarët kishin shkuar si refugjatë në Shqipëri, kishte shkrepur një fotografi të një vajze të vogël.
Shkullaku ishte i ftuar në emisionin A me Adin Krasta, e duke treguar për pervojën e tij si fotograf, ka treguar edhe për historinë e kësaj fotografie ku dukej një vajzë e vogël.
Pas kësaj interviste, ka ardhur edhe një reagim përmes Facebook-u nga Tringa Leka nga Kosova, e cila ishte vajza e vogël në fotografinë për të cilën kishte folur edhe Shkullaku, e njëjta ka bërë të ditur se familjarët e saj e kishin prerë nga gazeta në atë kohë fotografinë për të cilën ishte diskutuar në emisionin e Krastës dhe e kishin ruajur.
Për këtë gazetari Krasta gjatë emisionit të tij është lidhur direkt me Tringën, e cila ka treguar se gjithmonë ka qenë në kërkim të personit e cili e kishte shkrepur fotografinë e saj si e vogël.
“Ishte një moment emocionues për mua kur e pashë këtë intervistë, pasi gjithmonë kam mendu se kush ka qenë ai personi prapa aparatit fotografik që e ka kapur këtë moment e plot tjerë gjatë asaj kohe të veshtirë për ne”, është shprehur Tringa.
