E ashtuquajtura Zyrë në Serbi reagon për rrahjen e pretenduar të të rinjve në Leposaviq, kërkon reagim nga BE-ja
Një rrahje është raportuar sot në mediat serbe e për të cilën Policia e Kosovës nuk ka asnjë informacion. Por, përkundër kësaj, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë e ka bërë një reagim dhe ka kërkuar reagim edhe nga BE-ja
Kjo e ashtuquajtur zyrë ka deklaruar se rrahja në fshatin Joshanicë afër Leposaviqit “pasqyron realitetin në të cilin detyrohen të jetojë populli serb në Kosovë e Metohi.”
“Ata djem u janë nënshtruar torturave nga pjesëtarët e policisë speciale të ROSU-së mbrëmë pa asnjë arsye... gjëja më e tmerrshme është se përdorimi i tepruar i forcës dhe aplikimi i torturës policore nuk janë incidente të thjeshta, por urdhëra të drejtpërdrejtë nga autoritetet në Prishtinë për të torturuar serbët në çdo hap...” – thuhet më tej në deklaratë.
Kjo Zyrë që drejtohet nga Petar Petkoviqi – homologu i Besnik Bislimit në negociatat e Brukselit – kërkon reagim e dënim të ngjarjes edhe nga organizatat ndërkombëtare dhe nga BE-ja.
I kontaktuar nga Nacionalja, Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë rast.