Dyfytyrësia e VV-së: Vitin e kaluar pa numra propozoi 57 herë Haxhiun, tash me numra nuk propozon emër dhe mban peng Kuvendin
Kryeministri në detyrë tashmë i betuar si deputet, Albin Kurti, në vitin që lamë pas kishte qëndrime të tjera sa i përket propozimit të emrit për të parin apo të parën e Kuvendit, pasi që, si partia që ka fituar shumicën e votave dhe mandateve, edhe i takon ta bëjë këtë hap, gjë që nuk po e bën.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur edhe pse nuk i kishte votat në Kuvend, VV-ja e propozoi për 57 herë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, duke këmbëngulur në zgjedhjen e saj, ndërsa pas dhjetëra dështimeve në fund u zgjodh Dimal Basha. Sot, kur VV-ja i ka votat e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, ajo nuk po propozon asnjë emër.
Kurti, duke mos propozuar emrin e kryeparlamentarit ose kryeparlamentares, po shpërfaq dyfytyrësinë dhe hipokrizinë që Lëvizja Vetëvendosje po vepron, pasi që, edhe pse i ka numrat në Kuvend së bashku me minoritetet joserbe, po e mban peng krijimin dhe konstituimin e legjislaturës së 11-të.
Nga këndvështrimi i parimeve demokratike dhe konsistencës politike, ky ndryshim i qëndrimit të VV-së dhe liderit të saj vlerësohet si hipokrizi apo dyfytyrësi politike.
Nëse i krahasojmë dy situatat, kontrasti është i qartë:
Në vitin 2025/2026: VV-ja insistonte se institucionet duhet të krijohen pa vonesë. Edhe pse nuk i kishte votat (61), ajo thërriste seanca dhe propozonte Albulena Haxhiun. VV-ja akuzonte partitë e tjera për bllokim dhe “pazarllëqe”, duke thënë se vullneti i popullit duhet të shkojë në votim, pavarësisht kalkulimeve.
Sot, në gusht 2026: Tani që VV-ja i ka vetë numrat e mjaftueshëm (63 vota me pakicat joserbe) për ta zgjedhur kryeparlamentarin menjëherë dhe pa pasur nevojë për opozitën, ajo zgjedh ta shtyjë procesin.
Ajo po bën saktësisht atë që kritikonte te të tjerët: po e mban të bllokuar konstituimin e Kuvendit për shkak të kalkulimeve dhe pazareve politike për një post tjetër, atë të Presidentit.
Kur nuk i kishin votat, VV-ja përdorte thirrjen e seancave si mjet presioni publik për ta nxjerrë opozitën si fajtore për bllokimin.
Kur i kanë votat, parimet e dikurshme harrohen dhe zëvendësohen me pragmatizëm të pastër politik, ata nuk duan të rrezikojnë asnjë hap pa u siguruar që pushteti i tyre do të jetë i plotë dhe i paprekshëm për katër vitet e ardhshme.
Pra, për mbajtjen peng të Kuvendit del të jetë fajtore vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk po e propozon emrin, meqë i takon si partia e parë. Drejtimi i gishtit nga opozita është veçse kërkim për fajësim dhe heqje të përgjegjësisë nga vetja për konstituimin e Kuvendit.
Duhet theksuar se, me shtyrjen e seancës përtej 7 gushtit, është bërë shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton se seanca duhet të mbahet më së largu brenda 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Këtë afat, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk e respektoi, duke kërkuar kohë shtesë.
Seanca u thirr sot, më 8 gusht, çka u cilësua si shkelje e Kushtetutës edhe nga njohës të fushës.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka konsideruar absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se afati detyrues 30-ditor ka përfunduar pa u konstituuar Kuvendi.
“Brenda këtij afati, LVV-ja nuk e ushtroi të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pas skadimit të afatit, ajo refuzoi sërish ta paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e vazhduar me vetëdije bllokadën institucionale”, shkruhet në reagimin e KDI-së.
KDI-ja ka theksuar se skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese sa i përket vlefshmërisë së procedurës së mëtejshme.
“Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme. Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit. Asnjë subjekt politik nuk mund t’i përcaktojë njëanshëm këto pasoja apo të përpiqet t’i zgjidhë ato përmes krijimit të një fakti të kryer. Kjo kompetencë i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës”, thuhet tutje në reagimin e KDI-së.