Dy javë pa paga RTK-ja: Gërvalla e zbulon opsionin 'Highlight' për vëmendje me zor, por çare punëtorve s'u gjen - NACIONALE

Dy javë pa paga RTK-ja: Gërvalla e zbulon opsionin 'Highlight' për vëmendje me zor, por çare punëtorve s'u gjen

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Interesi i kredisë së pagesës së vonuar ka nisur t’i godasë punëtorët e RTK-së edhe në të trembëdhjetën ditë pa paga – por, drejtori (emisar i VV-së) i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka zbuluar opsionin ‘highlight’ në komente në Facebook për të zmadhuar me sforcim audiencën e tij në shkrimet e tij në Facebook të cilat s'po i shkrepin vëmendjen e kërkuar. Etiketoi të gjithë miqt për të parë se çfarë ka shkruar: me të, deri tash, po bashkëndjen Blerim Haxhiu, Kryeredaktori i RTK-së famëmirë në Vetëvendosje që zhvilloi intervistën më ledhatuese ndaj pushtetit të emetuar ndonjëherë në ekrane televizive kosovare. Por, ‘highlight’-in, Rilind Gërvalla nuk e pati për Blerim Haxhinë famëmirë edhe të mirëshpërblyer me qindra mijëra euro grante nga pushteti në OJQ të gruas e të birit, por për të tjerët. 700 punëtorë të RTK-së vazhdojnë të mbesin pa paga – por, pa dikë t’ju del zot në kërkesat e tyre: drejtori i tyre, Rilind Gërvalla, ka nisur një seri shkrimesh, sipas tij me synim ‘esëllues’ se sa keq ka qenë në të kaluarën. Por, gajreti i tij prej rapsodi te punëtorët pa paga s’po ecën.

“Rrogat janë vonuar tash e 13 ditë, por nuk janë ndaluar sikurse po tentojnë ta paraqesin mediat hibride”, shkroi Rilind Gërvalla, pa dhënë as edhe një të dhënë, informacion as pritshmëri për punëtorët të cilët i drejton – por, duke u marrë me atë çfarë ai i quan “media hibride”. Përkundrazi, Gërvalla tha se pagat u vonohen punëtorëve të mediave private.

“Në vend që të mbrohet (RTK), nisur nga interesat kombëtare të partive politike, RTK është bërë arenë e tyre nëpërmes disa punëtorëve brenda saj dhe prurjeve periodike nga mediume të ndryshme”, shkroi më tej ai – duke saktësuar që në fillim të shkrimit se ai i ka “25 vjet në RTK” dhe shënuar dallimin me të tjerët si ardhacakë partiakë ose mediatik të tjerë – ndonëse vetë është emëruar nga zyret e partisë Vetëvendosje si drejtor-emisar politik.

Por, tjetër trajtë gajreti po kërkojnë kolegët e tij pa paga: Alban Selimi nga RTK shkroi një status në stil parodik: “Kolege, gajret. Banka se ka vra kerkon. Vec ne fajde mos hyni!”. Ditë më parë, Gazetarja e RTK-së, Jehona Zhitia, po ashtu publikoi mesazhin e bankës për këstin e kredisë së vonuar, i.e, interesit të rritur. “Dita e 11 pa rrogë, ineteresi i kredisë po rritet çdo ditë. Banka ma kujtoj me mëngjes. Unë po i vuaj pasojat por fajtori është dikund tjetër”, ka shkruar ajo.

Arsim Haliti, Shef i Produksionit në RTK, e ka funksionalizuar edhe më tej ‘humorin’ shpotitës ndaj drejtuesve të RTK-së për çështjen e pagëve:

“Më fal që po të shqetësoj, Fadil – e di që je i zënë me çështje ‘të mëdha’, po thash të pyes mos ki informata për rroga sot? Nashta kjo pyetje duket ‘imci’ mes krejt atyne punëve të rëndësishme, por, helbete, nëse t’bjen rruga kah ‘divahanet
e japive të medhena, kqyr edhe për rroga, mos u muno shumë – veç nëse t’del kohë
”, shkroi ai në një koment.

Rilind Gërvalla i emëruar drejtor i RTK-së në janar 2023 ishte emëruar me gojëurdhër partiak nga vetë partia Vetëvendosje. Anipse ligji stipulon që Drejtor nuk mund të bëhet askush që tri vitet e fundit ka qenë zyrtarisht në struktura partiake, kjo s’vleu për të. Ai merrte pjesë në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së gjer në korrik të 2020’ës.

Lajme të ngjashme