Dy historianë e kritikojnë filmin “Nëntori i Dytë” për “ideologjizim të historisë”: Terminologjia e pasaktë - NACIONALE

Dy historianë e kritikojnë filmin “Nëntori i Dytë” për “ideologjizim të historisë”: Terminologjia e pasaktë

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Çdo 28 Nëntor, datë që shënjon përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ka një ritual pothuajse të njëjtë të festimit. Përgëzojmë njëri-tjetrin, lexojmë urime liderësh politikë, organizohen koncerte të ndryshme, nga koncerte filharmonike e deri tek ato folklorike e me ngjyrime nacionaliste. Në krejt këtë ritual, filmi “Nëntori i Dytë”, që u prodhua në kohën e komunizmit enverist, zë një vend meritor.

Ai shfaqet në televizione të ndryshme kombëtare, duke rikthyer në kujtesë krejt ecajaket drejt shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Së fundmi, në Kosovë kishte kritika në lidhje me këtë film. Madje, analisti Nexhmedin Spahiu kërkoi që “Nëntori i Dytë” të mos shfaqej në televizione fare më 28 Nëntor.

Por pyetja më normale është e thjesht: a i pasqyron në mënyrë korrekte filmi “Nëntori i Dytë” ngjarjet historike të vitit 1912?

A është i ngarkuar ideologjikisht filmi “Nëntori i Dytë”? Në fund, a është i mundur të mësohet historia objektive nga një film i prodhuar në kohën e diktatorit Enver Hoxha, gjatë sundimit të sëcilit ishte gati e pamundur të mendohet në mënyrë kritike?

Ideologjizimi i historisë

Në lidhje me këtë temë, i pyeta dy historianë. Në përgjigjet e tyre, historianët Shpend Avdiu dhe Xhemajl Halili, renditën disa kritika në lidhje me pasqyrimin historik të ngjarjeve dhe personazheve në filmin “Nëntori i Dytë”.

Shpend Avdiu, historian në Institutin Albanologjik në Prishtinë, i thekson dy qëllime bazë të filmit “Nëntor i Dytë”.

“Filmi “Nëntori i Dytë”, në pamje të parë shihet se i ka dy qëllime bazë: Përjashtimin e rolit të Fuqive të Mëdha në krijimin e shtetit shqiptar dhe rolit vendimtar që kishte Austro-Hungaria në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 dhe më vonë të caktimit sa më të zgjeruar të kufijve të saj. Gjithashtu, në ketë film duket se kishte edhe një qëllim tjetër, paraqitjen e familjeve bejlere sa më negativisht dhe ta minimizonte rolin e tyre në ngritjen e vetëdijës kombëtare dhe rolit të tyre në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.” – deklaroi Avdiu për Nacionalen.

Ndërsa historiani Xhemajl Halili vlerëson se terminologjia e përdorur në film është e rënduar dhe e pasaktë.

“Periudha e monizmit në Shqipëri deri në rënien e tij, karakterizohet me një kontroll-diktat në çdo sferë të shoqërisë. Këtu nuk përjashtohet as kinematografia. Për këtë, me ndihmën e rusëve ishte themeluar Kinostudio “Shqipëria e Re” në fillim të viteve 50-ta. Një ndër filmat me karakter historik ishte “Nëntori i Dytë” (1982) në shtatëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Që në fillim të filmit terminologjia është e rënduar dhe e pasaktë. 500 vite sundim pasqyrohen si robëri. Ndërsa kryengritjet e viteve 1910-1912 perkufizohen si “kryengritje të mëdha të pavarësisë”. Dihet fare mirë që asnjëra prej tyre nuk kishte qëllim në vete pavarësinë.” – deklaroi historiani Halili.

Tutje, ai thekson edhe disa momente të kritikueshme në këtë film.

“Flamuri shfaqet i “familjarizuar” në çdo cep pothuajse. Në fakt, është krejt e kundërta. Masa nuk e kishte pranuar. Sa që kishte prej atyre që e kundërshtonin me forcë duke e tallur “Flamur me sorrë”. Madje, Eqrem bej Vlora në kujtimet tij na jep një pasazh të qartë lidhur me këtë. Ai thotë “se kurrkush më përpara as e kishte parë, as kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte Flamur në shtëpi”. Lidhur me flamurin, të cilin e kishin marrë, ishte i Eqrem bej Vlores, të cilin thotë qe ia kishte huajtur flamurin Ismail Qemalit. Ideologjizimi i historisë ka qenë diçka normale jo vetëm në kinematografi, por gjithandej në historiografi për secilën ngjarje e personalitet.” – deklaroi ai.

Ndryshe, lëvdata për filmin ka pasur Ben Blushi, ish-politikan i njohur e shkrimtar, i cili vlerësoi se po të mos ishte ky film, “ndoshta shumë shqiptarë nuk do të kishin kaq shumë emocione” për 28 Nëntorin.

“Ndoshta shumë shqiptarë nuk do kishin kaq shumë emocione për Ditën e Pavarësisë nëse nuk do egzistonte filmi Nëntori Dytë i prodhuar në vitin 1982 me rastin e 70 vjetorit.” – shkroi ai në profilin e tij në Facebook më 28 nëntor.

Lajme të ngjashme