"Zhvillim ekonomik e kulturor": Interpretimet skandaloze të nënkryetares së VV-së, lavdëron Fadil Hoxhën, Titon e Jugosllavinë - NACIONALE

"Zhvillim ekonomik e kulturor": Interpretimet skandaloze të nënkryetares së VV-së, lavdëron Fadil Hoxhën, Titon e Jugosllavinë

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Në tetor të vitit 2022, Mrika Limani-Myrtaj në mënyrë disi enigmatike u bë nënkryetare e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë më të madhe në Kosovë. Ndonëse u anëtarësua në vitin 2019, Limani-Myrtaj e fitoi besimin për t'u bërë njeriu i tretë më i rëndësishëm në hierarkinë e LVV-së. Por Limani-Myrtaj, të cilën kryeministri Albin Kurti, e kishte quajtur “studiuese të pasionuar”, ka disa interpretime skandaloze rreth historisë së Jugosllavisë.

Në librin “Jugosllavia nga një perspektivë historike” të botuar në vitin 2017 nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Limani-Myrtaj ka kontribuar me një kapitull të titulluar “Kosova në Jugosllavi, kundër statusit kolonial”, në të cilën ka shkruar ca interpretime, thënë më së buti, të debatueshme e historikisht të paqëndrueshme.

Në artikullin e saj, zonja Limani-Myrtaj ka lavdëruar zhvillimin ekonomik e arritjet kulturore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ka mbrojtur figurat e kontestuar si Fadil Hoxha e Sinan Hasani, ndërsa politikat e Josip Titos, ish-diktatorit jugosllav, i ka cilësuar si “ndikime liberale”, ndonëse Titoja mbahet përgjegjës për mbi 1 milionë të vrarë në ish-Jugosllavi.

Interpretimet e çuditshme…

Në pikëpamjen e Limanit-Myrtaj, për të cilën është raportuar të jetë mbesa e motrës së Fadil Hoxhës, diktatorit komunist kosovar, Jugosllavia ka pasur ndikime pozitive në Kosovë. Përveç paraqitjes pozitive, Limani-Myrtaj ka përzgjedhur faktet, duke mos rrëfyer për masakrën në Drenicë, ku u vranë mijëra njerëz nga komunistët e Titos e Fadil Hoxhës, të cilët luftonin në krahun e Shaban Polluzhës, heroit të shpallur të Kosovës.

Interpretimi i saj, në përgjithësi, nuk është shumë i ndryshëm nga publicisti Veton Surroi. Sipas nënkryetarës së VV-së, vitet 70-ta janë karakterizuar me një përparim të shpejtë kulturor e begati ekonomike. Ajo përmend themelimin e Universitetit të Prishtinës si një arritje të shqiptarëve, ndonëse gabimisht e ngatërron vitin e themelimit (UP-ja është themeluar në vitin 1970, jo në vitin 1971 siç shkruan Limani-Myrtaj).

“Dekada e ardhshme ishte mjaft e begatë për shqiptarët e Kosovës, të cilët gëzuan përparim të shpejtë kulturor dhe ekonomik. Themelimi i Universitetit të Prishtinës në vitin 1971 ndikoi shumë në zhvillimin e një klase intelektuale te shqiptarët e Kosovës, të cilët më vonë do të luanin një rol përcaktues në ndarjen e Kosovës nga Serbia. Për më tepër, një kredi e dhënë nga Banka Botërore për Jugosllavinë në vitin 1971, e cila u investua kryesisht në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ndihmoi në prosperitetin ekonomik të këtyre rajoneve.” – shkruan Limani-Myrtaj në vitin 2017.

Tutje, “studiuesja e pasionuar”, pa dhënë ndonjë interpretim më të hollisishëm, konkludon se Kosova ishte një rajon thellësisht i prapambetur, ndërsa në kohën e ish-Jugosllavisë u zhvillua “një ndërgjegje kombëtare”. Pra Limani-Myrtaj, duke e damkosur shoqërinë kosovare të pas Luftës së Dytë Botërore, synon të lavdërojë Jugosllavinë për “krijimin e një ndërgjegjeje kombëtare”.

“Përderisa pozita e shqiptarëve në Jugosllavi nuk ishte gjithmonë e favorshme, veçanërisht në Jugosllavinë e Parë, në Jugosllavinë e Dytë kishte një përparim dhe zhvillim. Është e pamohueshme se Kosova ishte një rajon thellësisht i prapambetur, popullsia e të cilit ishte kryesisht agrare. Në këtë kontekst, themelimi i Universitetit të Prishtinës, Institutit Albanologjik, Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe formimi i Institutit të Historisë në vitet 1970 flasin shumë për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare, por edhe për largpamësinë në themelimin e institucioneve që u treguan thelbësore në formimin e një aparati shtetëror të pavarur të Kosovës.” – shkruan ajo.

Lavdet për Fadil Hoxhën

Përveç Jugosllavisë, zonja Limani-Myrtaj i përmend me emër të përveçëm edhe disa figura që morën pjesë në jetën politike gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë. Nënkryetarja e VV-së i vlerësoi pozitivisht figurat e Fadil Hoxës, Sinan Hasanit e Titos.

Në këndvështrimin e Limani-Myrtajt, Fadil Hoxha, politikani që sundoi për gati 40 vitem me Kosovën në ish-Jugosllavi, paraqitet si politikan i vendosur, që shtyu përpara agjendën e transformimit të Kosovës në një republikë jugosllave, por ajo nuk përmend deklaratat e Hoxhës kundër protestave të vitit 1981).

“Në Kosovë u shfaq një valë e re e politikës, e cila shtyu përpara agjendën e transformimit të Kosovës në një republikë jugosllave. Si politikan kryesor shqiptar i Kosovës, Fadil Hoxha ishte gjithashtu i vendosur në kërkimin e të drejtave të barabarta për shqiptarët e Kosovës.” – shkruan ajo.

Tutje, zonja Limani-Myrtaj e vlerëson lartë edhe Sinan Hasanin, një politikan tjetër i rëndësishëm në kohën e ish-Jugosllavisë. Sipas saj, emërimet e Hoxhës e Hasanit në nivel të Federatës së Jugosllavisë, garantonin se interesi i Kosovës do të promovohej në nivel federal. Në këtë kontekst, ajo vlerëson se në vitet 70-ta dhe 80-ta u brymosë një gjeneratë e re urbane që kishte korrur beneficionet e të qenit qytetar jugosllav, i cili term më nuk shkaktonte një konotacion kërcënues.

“Ndërkohë, politikanët shqiptarë të Kosovës u emëruan në pozita kyçe shtetërore në Jugosllavi. Fadil Hoxha u emërua nënkryetar i Jugosllavisë në vitet 1978–79 dhe më vonë Sinan Hasani shërbeu si kryetar i Presidencës së Jugosllavisë në vitet 1986–1987. Emërimet e tyre garantonin që interesat e Kosovës do të promovoheshin në nivel federal. Shfaqja e një identiteti jugosllav shqiptar në mesin e shqiptarëve mori formë më të fortë gjatë viteve '70 dhe '80, e përfaqësuar nga një brez i ri urban që kishte korrur përfitimet e të qenit qytetar jugosllav, një emër që nuk shkaktonte më një konotacion kërcënues midis tyre. edhe pse ndjenja nuk ishte plotësisht e ndarë në mesin e popullsisë rurale shqiptare në Kosovë.” – shkruan tutje ajo.

Në një paragraf, zonja Limani-Myrtaj e cilëson lidershipin e Titos si “liberal”, një term absolutisht i gabuar, pasi Titoja, sipas paramterave objektiv, ishte një diktator, që sundoi pa zgjedhje demokratike me Jugosllavinë. Në këtë pasazh, nënkryetarja e VV-së vlerëson se politikat “liberale” të Titos krijuan terrenin pjellor për “etnocentrizmin”, ndonëse ato synonin krejtësisht një gjë tjetër.

“Kushtet, në të cilat u krijuan këto institucione, dhe çështja shqiptare kundër statusit kolonial të Kosovës e shtyrë përpara, padyshim që ishin të mundshme vetëm në rrethanat specifike politike në Jugosllavi që lindën nga ndikimi liberal i udhëheqjes së Titos. Edhe pse kishte për qëllim të kundërtën, kjo qasje politike ishte përfundimisht e dëmshme për të ushqyer terrenin pjellor për etnocentrizmin në Jugosllavi.” – shkruan ajo.

Në tekstin e saj, zonja Limani-Myrtaj përmend emigrimet e shqiptarëve në Turqi, protestat e vitit 1968 e 1981 dhe ngritjen e sistemit të Millosheviqit, si dhe lindjen e LDK-së së Ibrahim Rugovës e UÇK-së.

Ndryshe, Limani-Myrtaj që nga 23 tetori i vitit 2022, është nënkryetare e VV-së, një partie që dikur synonte bashkimin kombëtar me Shqipërinë.

Lajme të ngjashme