'Duhet të shtyhet', 'Fillon më 1 nëntor': A po ndodhë edhe një shtyrje e regjistrimit të popullsisë?
Brenda vitit 2023 është paraparë regjistrimi i popullsisë në Kosovë. Fillimisht, prej të fillonte më 1 shtator 2023, mirëpo në atë kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte njoftuar se procesi i regjistrimit është shtyrë për datën 1 nëntor 2023. Tashmë na ndajnë vetëm katër ditë nga data kur supozohej të nis procesi, por çka do të ndodhë?
Ani pse u shty një herë, gjasat për shtyrjen e dytë të procesit të regjistrimit të popullsisë të Kosovë janë mjaftë të mëdha, edhe pse institucionet përkatëse patën mjaftë kohë për parapërgatitje.
Gjatë ditës së premte, zëvëndëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyhet sërish procesit i regjistrimit të popullsisë.
Berisha ka njoftuar se shtyrja ka të bëj me mossigurimin me kohë të tabletëve të nevojshme.
“Për shkak të procedurave të prokurimit, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk ka arritur të sigurojë me kohë tabletët e nevojshëm. Ajo që ishte kontraktuar në shtator të ishin prezent tabletët dhe që sipas planit të aktiviteteve të zhvillohen të gjitha procedurat, duke filluar nga instalimi i gjitha aplikacioneve në këto tabletë, pastaj të bëhet një test pilot dhe të fillojnë trajnimet para datës 1 nëntor. Ne me fillim të tetorit dërguam kërkesë zyrtare tek kryeministri për një rishikim të datës përsëri për shkak se jemi vonë me këto aktivitete që ndërlidhen me mungesë të tabletëve dhe me mosrekurtimin e 3500 regjistrueseve dhe rreth 900 mbikëqyrëseve, kushtëzojnë patjetër që të shtyhet regjistrimi i popullsisë.” - ka deklaruar Berisha për Kosova Press.
Ndër të tjera, Berisha ka rekomanduar që procesi i regjistrimit të shtyhet për vitin e ardhshëm, ku ka treguar se ky proces nuk mund të mbahet në çdo kohë.
Për vonesat në prokurim, Berisha fajtore e ka bërë Ministrinë e Financave, e cila drejtohet nga Hekuran Murati.
“Jemi në pritje të vendimit. Qeveria është duke shqyrtuar, operatori i dytë ekonomik që ka fituar tenderin me tabletë, sipas kontratës, do t’i liferojë me datën 2 nëntor. Mirëpo edhe në këtë datë kërkohet që të jetë një periudhë për instalimin e atyre programeve dhe të fillojnë trajnimin. Në anën tjetër, ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione.” - ka thënë Berisha.
Mirëpo, i një mendimi të tillë sa duket nuk qëndron kryeministri i vendi, Albin Kurti.
Kurti në një konferencë të mbajtur sot, ka deklaruar se procesi i regjistrimit do të nisë më datën 1 nëntor, duke shtuar se për këtë gjë nuk ka vendim tjetër.
Nga shtatori në nëntor...
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur dy muaj më parë, kryeministri, Albin Kurti kishte deklaruar se procesi i regjistrimit të popullsisë nuk do të mund të fillojë më 1 shtator, ashtu siç ishte planifikuar, duke shtuar se është shtyrë për dy muaj.
Në adresimin e tij, Kurti kishte fajësuar edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Sipas tij, ky Asociacion ka bërë “rezistencë” brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit.
“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës të prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023. Pra, dy muaj më vonë për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesë të shkaktuara t’i planifikonte detajet.” - ka thënë Kurti.


