‘Drejtohuni ju në Komision, lëvizni për Asociacion’: Çfarë reagime mori propozimi i Kurtit rreth Asociacionit? - NACIONALE

‘Drejtohuni ju në Komision, lëvizni për Asociacion’: Çfarë reagime mori propozimi i Kurtit rreth Asociacionit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundi në një intervistë ka bërë një propozim të pazakontë, duke u kërkuar emisarëve perëndimorë në krye me atë evropian, Miroslav Lajçak që ta dërgojnë në Komisionin e Venecias draftin e tyre për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Për këtë çështje, si duket formalisht s’e kanë njoftuar ende presidencën e Kosovës, megjithatë, Bashkimi Evropian e ka dhënë qëndrimin.

Duke folur për “A2CNN”, Kurti u shpreh që Lajçak e tjerët duhet ta dërgojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias, ndërsa dokumentin e tij, vetë ai në Kushtetuese.

“Dokumentin e tyre, Lajçak dhe komisionerët e tjerë europianë ta çojnë draftin e tyre në Komisionin e Venecias. Dokumentin tim do e çoj në Kushtetuese. Nëse Vuçiç është pajtuar me marrëveshjen bazike, përse të mos e pranoj unë. Por nëse hiqet asociacioni, e shkatërrohet paketa, ashtu nuk pranoj. Ne jemi në të drejtën tonë. Presioni duhet të ishte në Beograd.” – theksoi Kurti.

Megjithatë, për këtë, ai s’e ka njoftuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani:

“Nuk kam parë një ide të tillë të prezantuar formalisht, kurdo që prezantohet te institucioni i presidencës si kreu i shtetit dhe shefi i diplomacisë. Ide që prezantohen në media nuk i shoh formalisht të prezantuara. Përcaktimi i objektivave të politikës së jashtme bëhet nga kreu i shtetit, kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtojë, por mendoj që është me rëndësi që çdo propozim e ide të analizohet në kontekst të interesave të Kosovës e qytetarëve të saj. Nëse e vlerësojnë që kjo e ndihmon Kosovën, nuk ka arsye të mos përkrahet. Duhet të prisni edhe pak deri ta diskutojmë në mënyrë formale.” – tha ajo të premten.

Fjalën e tyre e thanë edhe nga BE-ja. Kurtit, “i rekomanduan” që ta dërgojë vetë draftin në Komisionin e Venecias, e mbi të gjitha, të ecë përpara sa i përket Asociacionit.

“I takon Kosovës që, si pjesë e Komisionit të Venedikut, të kërkojë këshilla ligjore për draft legjislaturën, apo legalizimin që tashmë është në fuqi, përfshirë edhe draft-statutin evropian.” – tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në një përgjigje për “REL”, ai ka përsëritur se BE-ja dhe QUINT-i kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për hapat e radhës sa i përket Asociacionit.

“BE dhe QUINT e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre dhe pritjet për hapat e radhës që Kosova duhet t’i ndërmarrë në procesin e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve të Brukselit [të viteve 2013 dhe 2015] lidhur me themelimin e Asociacionit, më saktësisht që drafti evropian për statutin t’i dërgohet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese për të deklaruar atë si të pranueshëm.” – u shpreh ai.

Në fund, Stano ka bërë thirrje që Kosova të veprojë "me shpejtësi dhe të ndërpresë vonesat tjera në përmbushjen e obligimeve të saj”.

Lajme të ngjashme