Drama me reduktimet: S'ka rrymë, ka rrymë - NACIONALE

Drama me reduktimet: S'ka rrymë, ka rrymë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ende pa u bërë bërë 24 orë nga njoftimi për reduktime të energjisë elektrike në Kosovë, duket se shteti e gjeti zgjidhjen. Së paku tash për tash do të kemi furnizim stabil me rrymë.

Por si ndodhi gjithçka dhe qytetarët u ballafaquan për një ditë me reduktime të energjisë elektrike?

Dyfishimi i çmimit të energjisë në berzat ndërkombëtare gjatë korrikut, por edhe kapaciteti i kufizuar për prodhim të brendshëm, kanë shtyrë autoritetet e Kosovës që të bëjnë thirrje për kursim të energjisë.

Më 27 korrik, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt”, kurse më 9 gusht ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, (ZRRE) shtrenjtimin e tarifave të rrymës.

Më 8 shkurt të këtij viti, ZRRE-ja tashmë ka miratuar tarifa më të shtrenjta të rrymës që u tha se do të jenë në fuqi deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Ky shtrenjtim, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë gjatë një muaji.

Por reduktimeve u erdhi dita

Të dielën KEDS-i përmes një komunikate për media njoftoi se ka marrë urdhër nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të hënën të fillojë vendosjen e kufizimeve të energjisë elektrike.

Sipas njoftimit të KEDS-it, këto kufizime do të zgjasnin deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët. Këta të fundit do të kenë 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime të hënën si rezultat.

Prej nesër, vendi do të furnizohet vetëm nga prodhimi vendor. Kjo, pasi KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhej në njoftimin e KEDS-it të dielën.

Sërish në ndihmë Shqipëria

Më pak se një ditë pas njoftimit për reduktime, duket se është gjetur zgjidhja, të paktën përkohësisht.

E për t’u zgjidhur e gjithë situata, Kosova sërish kërkoi ndihmën e Shqipërisë.

Duke qenë se sot konsumi vendor në Kosovë ka shënuar ngritje në orë të caktuara (në kohë të pikut), KEK në bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë kanë ndërmarrë veprime të shpejta me ç’rast nga ora 14:00h janë siguruar 100 MWh/h nga energjia e depozituar e KEK-ut në KESH dhe paralajmërimi për reduktime u ndalua. Bashkëpunimi i ndërsjellë në mes KEK dhe KESH çdo ditë e më shumë po tregon rezultatet pozitive në tejkalimin e krizës energjetike nga ku përfitues janë qytetarët e të dyja vendeve!

Sipas njoftimit të 15 gushtit të Ministrisë së Ekonomisë, prodhimi ditor i rrymës në KEK aktualisht është 507 megavatë në orë, kurse kërkesa për konsum është deri në 750 megavatë në orë. Diferenca tjetër duhet të importohet.

Një megavat energji në gusht të vitit të kaluar ka kushtuar deri 150 euro.

KEDS-i ka thënë më 14 gusht se nuk ka mundësi financiare të sigurojë energji nga importi, për shkak të “çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare”.

E ngritja e çmimeve, fillimisht nisi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ndërkaq hovin më të madh të ngritjes e mori pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme