Dorëheqje, pastaj shpërndarje të Kuvendit: Kjo është draft-rezoluta e AAK-së për debat parlamentar
Opozita që nuk u pajtua për shpërndarjen e Kuvendin të Kosovës gjatë javës, sot do të "bashkohet" në një seancë plenare të Kuvendit për të diskutuar për tri vite të Qeverisë Kurti.
Në seancën që është ftuar nga AAK-ja dhe është përkrahur nga LDK-ja e PDK-ja, në rend të ditës është vetëm një pikë: Shqyrtimi i projekt-rezolutës për tre vjet qeverisje.
Gazeta Nacionale e ka siguruar projekt-rezolutën që AAK-ja do ta prezantojë sot para deputetëve në seancën, e cila pritet të fillojë nga ora 13:00.
Projekt-rezoluta është e shkurtër. Ajo përmban vetëm dy pika.
Në piken e parë të rezolutës thuhet se janë përmbushur të gjitha kushtet për ndërprerjen e mandatit të Qeverisë Kurti.
Më pas, tregohet se përfundimi i mandatit të kësaj qeverie duhet të bëhet me dorëheqje të kryeministrit ose me anë të mocionit të mosbesimit, të cilin AAK-ja e ka propozuar prej kohesh.
“Të gjithë parametrat e deritashëm, sot në tre vjetorin e kësaj Qeverie, janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK”, thuhet në piken e parë të rezolutës.
Kurse, në piken e dytë thuhet se pas dorëheqjes së Qeverisë duhet të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës.
“Pas dorëheqjes ose shkarkimit të qeverisë, të shpërbëhet Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në piken e dytë të rezolutës.

Iniciativa e PDK-së për shpërndarje të Kuvendit drejt dështimit
Partia Demokratike e Kosovës ka një javë që ka filluar një iniciativë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Pas takimit që ka pasur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, me kryeministrin Albin Kurti, PDK-ja ka filluar konsultimet me partitë opozitare për shpërndarjen e Kuvendit.
Shpërndarjen e Kuvendit me marrëveshje politike e ka përkrahur edhe kryeministri Albin Kurti.
Por, deri me tani LDK-ja dhe AAK-ja ka e kanë refuzuar një gjë të tillë.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, edhe mbrëmë e ka përsëritur se LDK-ja nuk ka votë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Në emisionin “Click” në RTV21, ajo ka bërë me dije se LDK-ja nuk e merr përgjegjësinë për dështimet e kryeministrit Kurti.
“LDK qëndrimin e ka të qartë, zoti Kurti duhet të japë dorëheqje , nuk ka shpërndarje të Kuvendit, ne nuk e marrim përgjegjësinë për dështimet e zotit, Kurti…Kurti duhet të dalë me i tregu publikut që ka dështuar”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka bërë me dije se LDK-ja pret dorëheqjen e kryeministrit Kurti.
“E pres një gjë të tillë për shkak se zoti Kurti një dorëheqje e ka dhënë në momentin kur ai, ka ftu partitë opozitare kinse për agjende legjislative e ka hapë temë e zgjedhjeve pas takimit me kryetarin e PDK-së shkon i fton përfaqësuesit e minoriteteve…kjo i bjen dorëheqje faktive”, është shprehur ajo.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte reaguar pas takimit Krasniqi-Kurti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai kishte shkruar se AAK-ja nuk e përkrah një propozim të tillë.
“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, kishte shkruar Haradinaj.
Ndërsa, PDK-ja ka bërë me dije se nuk e përkrahin shpërndarjen e Kuvendit pa dy partitë tjera opozitare.