"Dorëheqja e Shqipes, inati i Agimit": Pak kritika për Abdixhikun si kryetar i LDK-së, kush i doli kundër? - NACIONALE

"Dorëheqja e Shqipes, inati i Agimit": Pak kritika për Abdixhikun si kryetar i LDK-së, kush i doli kundër?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar të partisë. Një gjë e tillë u bë publike nga vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke shkruar se zgjedhjet janë festë. Por përgjatë udhëheqjes së tij, Abdixhiku u përball me disa pakënaqësi, përfshirë ish-gardën e vjetër. Çka ndodhi me LDK-në përbrenda?

Që në krye të herës, LDK-ja është stabilizuar në këto dy vite, duke i fituar edhe 9 komuna në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, përfshirë fitoren në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. E duket se kjo gjë ka bërë që t'i neutralizojë edhe zërat kritikë në parti. Megjithatë, sikurse në secilën parti, ka pasur disa pakënaqësi të vogla, të cilat u shprehën edhe publikisht.

Sigurisht, pakënaqësia më e madhe, që u shpreh publikisht, ishte ajo e Shqipe Mjekiqit, nënkryetares së LDK-së, e cila u bë nënkryetare në kohën e udhëheqjes së Abdixhikut. Në fakt, Mjekiqi para ca kohe dha dorëheqje nga kjo pozitë, duke theksuar mungesën e hapësirës për të kontribuar si një nga arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi.

“Fatkeqësisht, hapsira për të kontribuar ishte e pamjaftueshme ndërkaq, përgjegjësitë dhe kompetencat ishin të kufizuara në raport me pozicionin që kisha. Për më tepër, përpjekjet për të ndryshuar këtë nuk patën sukses.

Vazhdoj të mbetem me gjithë qenien time në themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.” – shkroi ajo, duke e falënderuar kryetarin Abdixhiku e zyrtarët e tjerë të LDK-së për mbështetjen.

Ndërsa, i pakënaqur gjatë dy viteve të fundit ishte edhe Agim Veliut, deputet i LDK-së, i cili në disa raste e kritikoi ashpër Abdixhikun, duke e akuzuar edhe për largim nga dega e LDK-së në Podujevë. Në një letër të gjatë, z. Veliu e kishte kritikuar ashpër Abdixhikun, duke theksuar se Ekrem Hyseni është emëruar në degën në Podujevë është emëruar në mënyrë të kundërligjshme.

“Lumiri mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës…” – shkruante në letër Veliu.

Së fundmi, Faton Bislimi, përmes një letre drejtuar Abdixhikut e Kryesisë së LDK-së, ka shprehur një mori ankesash, duke dhënë dorëheqje nga funksioni i tij në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm të LDK-së. Z. Bislimi e akuzoi z. Abdixhikun për “sforcim të pozitës personale” e personalizim të skajshëm.

“Marrja e këtij vendimi nuk ishte aspak e lehtë! Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit.” – shkroi ai.

Kritikat e gardës së vjetër…

Kritikat më të ashpra ndaj Abdixhikut nuk kanë ardhur nga brenda Kryesisë së LDK-së. Sa paku, jo në publik. Kritika më e rëndësishme nga jashtë partisë, Abdixhikut i erdhi nga z. Isa Mustafa, ish-kryetar i LDK-së dhe kryetar nderi i kësaj partisë. Mustafa u përplas nga distanca me Abdixhikut rreth të kaluarës së LDK-së, pasi Abdixhiku theksoi se turpërohet nga fakti që një parti si LDK-ja ka mbetur në 12 për qind.

“Partia jonë mburret me rugovizëm. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe secili lë gjurmët e veta brenda kohës së shkurtër që ka. Mua më turpëron fakti që një parti si LDK-ja ka mbetur në 12% në Kuvendin e Kosovës. Unë po angazhohet që partinë e Ibrahim Rugovës ta kthej ku e ka vendin.” - theksoi Abdixhiku.

E përgjigja e Mustafës ishte e ashpër, ndonëse nuk ia përmendi emrin fare Abdixhikut, por nga konteksti mund të kuptojmë se përgjigja ishte për të parin aktual të LDK-së.

“Vetëvendosje e ka mbjellë farën e tyre edhe te LDK-ja, edhe te njerëzit e LDK-së, të cilët sot, në një formë, turpërohen nga ajo që ka punuar LDK-ja në të kaluarën. Këtë shtet, për 20 vjet nuk e ka bërë VV-ja, ka punuar vetëm në shkatërrimin e tij, ka qenë edhe kundër shpalljes së pavarësisë, edhe kundër marrëveshjes së Vjenës.” - deklaroi Mustafa për Tëvë 1.

I ashpër me Abdixhikut, në disa raste ka qenë edhe Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme dhe figurë e rëndësishme në LDK dikur. Madje LDK-ja në një moment ishte distancuar nga gjuha e Hysenit, i cili e kishte cilësuar mendësinë e Vjosa Osmanit, presidente e Kosovës, të ngjashme me atë të ish-diktatorit Slobodan Milosheviq, i njohur gjërësisht si Kasapi i Ballkanit.

Lajme të ngjashme