Dhe dorëheqje në ditën kur u shpallën zgjedhjet: A do të kandidojë për kryetar të LDK-së Faton Bislimi? - NACIONALE

Dhe dorëheqje në ditën kur u shpallën zgjedhjet: A do të kandidojë për kryetar të LDK-së Faton Bislimi?

10 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë i ka shpallur zgjedhjet e brendshme të partisë, në një proces që pritet të fillojë me një qershor, e do të zgjasë deri në vjeshtë. Pak para se të bëhej i ditur ky lajm, erdhi një dorëheqje në kryesinë e këtij subjekti politik. Bëhet fjalë për Faton Bislimin. Çka i tha ky Nacionales dhe a pritet të kandidojë për kryetar?

Në pyetjen tonë, ai nuk u përgjigj nëse do ta marrë një pozitë të tillë, megjithëse, i bëri të ditura disa prej arsyeve për dorëheqjen e tij.

Bislimi madje, shfrytëzoi rastin edhe që t’i kundërpërgjigjet kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, i cili deklaroi se “kryesia s’e ka parë Bislimin që një vit e gjysmë”.

Kërkon rikthimin e LDK-së…

Në deklaratën e tij për Nacionalen, ai ka thënë se nuk mund të flasë për zgjedhjet në LDK, pra për një kandidaturë të mundshme të tij, derisa shtoi se “me kohë do të zbardhet gjithçka”.

“Misioni im mbetet angazhimi në betejën e madhe për rikthimin e LDK-së të vlerave e idealeve themeltare të saj. Unë nuk i kam bishtëruar asnjëherë asnjë përgjegjësie, andaj ata që sot flasin pa asnjë argument kredibil e shprehin “mallin” e tyre “që s’më kanë parë që një vit” janë oporutnistë të pozitës, e jo vlera që duhet të shpërfaqë LDK e djathizmit autentik kombëtar.” – u shpreh ai.

Siç theksoi tutje Bislimi, qëndrimin e tij në kryesi e ka thënë qysh para një viti, duke thënë se “kjo kryesi e kishte humbur efektivitietin si pasojë e çasjes së kreu të partisë”.

“Tash, ndryshimin e presim në zgjedhjet e brendshme të partisë. Nëse ende ka gjak rugovist e ideologji mirëfilli djathiste kombëtarë që realisht dhe fuqimisht e sfidon pushtetin e tanishëm, anëtarësia e LDK-së do të reflektojë dhe do të rikthejë LDK-në ku i duhet Kosovës dhe siç i ka hije rrugëtimit të një partie që interesin kombëtar e shtetëror e vendosë mbi çdo interes tjetër. Për këtë LDK unë qëndroj.” – deklaroi ai në fund.

Zgjedhjet në LDK

Në një deklaratë para mediave, pas mbledhjes së kryesisë që u mbajt dje, Abdixhiku konfirmoi shpalljen e zgjedhjeve të brendshme.

Abdixhiku megjithatë u shpreh tutje se kjo garë do të ishte më shumë garë për mobilizim.

Ai përmendi edhe parimin e përfaqësimit gjinor, duke theksuar që kërkonte të rritej përfaqësimi i grave në këtë parti.

Kreu i LDK-së e komentoi edhe dorëheqjen e anëtarit të kryesisë, Faton Bislimi, duke u shprehur si vijon: “Dorëheqjet në ditën kur shpallen zgjedhjet janë të pakuptimta sepse kryesia është në dorëheqje e sipër. Nuk e kam parë deklaratën, dhe fakt është që kryesia e LDK-së nuk e ka parë z. Bislimi qe një vit e gjysmë dhe s’di se si ta komentoj”.

Ndërkohë, Abdixhiku uroi që të ketë garë edhe për kreun e LDK-së, pozitë që e mban vetë aktualisht.

Këtu, vlen të theksohet se Abdixhiku e mori këtë pozitë duke ardhur në krye të LDK-së në marsin e vitit 2021.

Derisa deri më tash, nuk dihet se kush do të jenë zyrtarët e LDK-së që do t’i futen garës për të parin e partisë.

Lajme të ngjashme