"Ditëve në vijim...javëve në vijim...përparim drejt Asociacionit": Krejt çka tha Samantha Power në Prishtinë dhe Beograd
Zyrtarja e Lartë në Administratën e Joe Biden, Shefja e USAID’it, Samantha Power, në Beograd ishte për herë të parë ndërsa në Prishtinë për herë të parë pas 25 vitesh. Mes arsyeve tjera të vizitës së saj, premisë kyçe e pati normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritën e Marrëveshjes së Ohrit. Në të dy kryeqytetet ajo i bëri referencë kohës. “Javëve në vijim...ditëve në vijim...”, tha ajo, ShBA do të pres përparim në themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumcië serbe. ShBA, tha ajo, “përqendrim të veçantë ka vendosur në Asociacionin (...) dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucione”.
Është nevojë urgjente, tha ajo, edhe në Prishtinë edhe në Beograd, derisa e bëri të qartë se angazhimi amerikan rreth këtij Asociacioni do të jetë i rëndësisë së parë. “Do të kërkohet guxim politik për të gjetur një zgjidhje që qëndron/zgjat, e pranueshme për të dyja palët. Por, mbështetja e ShBA’së do të jetë e fortë në javët në vijim derisa Serbia dhe Kosova punojnë hapat e ardhshëm”, tha ajo në Beograd, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan atje, Christopher Hill.
“Sigurisht në Kosovë do të ngrisë çështjet e vështira sikur bëra sot me Presidentin Vuçiq. Normalizimi ka bërë progres, faktin se ju sot keni një marrëveshje për të identifikuar Personat e Pagjetur rreth 1 mijë e 600 njerëz, kjo nuk është diçka që ka qenë e mundur që nga 1999 dhe sot u bë mundshme. Është e qartë se duhet bërë përparim për krijimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe dhe kjo është një diçka që ShBA e ka theksuar në çdo angazhim. Është diçka shumë e rëndësishme për serbët dhe për qeverinë e Serbisë. Nga ana ime, unë do të inkurajoj të gjithë hapat e theksuar më parë nga (këshilltari special) Derek Scholet dhe Presidenti Biden”, tha ajo.
Edhe në Prishtinë, ajo qëndroi në këtë vijë. “Si një Zyrtare e Lartë e Administratës Biden që vizitoj Kosovën po ashtu kam ardhur të rifuqizojë mesazhin që Administrata Baden ka dhënë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të cilat do të prodhojë normalizim të marrëdhënieve që do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë. Normalizimi do të jetë shumë shumë i mirë”.
Me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, zyrtarja amerikane tha se kanë biseduar “për urgjencën e krijimit të Asociacionit” por edhe për “urgjencën e zbatimit të marrëveshjeve në të gjitha aspektet”. E mira që do të sjellë për palët normalizimi i marrëdhënieve, zyrtarja e lartë tha se “nuk mund të mbitheksohet”.
Samantha Power, u shpreh decidivisht se sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka unitet të plotë edhe nga ShBA. Sa i përket Asociacionit, ajo rikujtoi Op/Ed-in e shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar. Çfarëdo aranzhimi komunal “duhet t’i bindet atyre parimeve”, tha Power.
“Ne gjithashtu e kemi bërë të qartë përmes zotit Derek Chollet dhe Gabriel Escobar parimet që ne besojmë se çfarëdo Asociacioni duhet t’ju bindet. Ne jemi konfident që me sinqeritet dhe me ato specifika që si rrjedhojë do të çelin progres në përgjithësi, dhe avancime të ndjeshme mund të bëhen ditëve në vijim”.
Por, se a ka hequr dorë ShBA nga kërkesa e kahershme që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfundojë në njohje, Power përgjigjet se assesi që jo. Por se tash për tash, përqendrimi duhet të jetë Asociacioni.
“Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në zbatimin e kornizës së normalizimit të marrëdhënieve dhe arritjes së normalizimit. Gjithmonë ka qenë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara se kjo duhet të rezultojë në njohje të ndërsjellë, e cila natyrisht se mbetet ende pozicioni ynë. Por, tash për tash, përqendrimin e veçantë e kemi sjellur te Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe, si dhe rëndësinë që serbët e Kosovës të kthehen në institucione sepse kjo do të jetë tejet e rëndësishme që gjërat të jenë stabile dhe normalizimi të ec para”, tha mes tjerash zyrtarja amerikane në Prishtinë./Nacionale/