'Ditëlindja': Festa patetike e ministres Artane Rizvanolli në KEK për lëshimin e A5-shit - NACIONALE

'Ditëlindja': Festa patetike e ministres Artane Rizvanolli në KEK për lëshimin e A5-shit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka festuar ditëlindjen. Por, festa e ditëlindjes marrë parasysh gjithë atë që ndodhi dhe që kishte thënë ajo del tragjikomike. Rizvanolli kishte përmendur dhjetorin, janarin e prillin si mundësi për rikthimin e A5-shit, dhe ja që qëlloi e kjo ndodhi bash në ditëlindjen e saj.

Ministrja Rizvanolli u shpreh gjatë ditës së djeshme se “punonjësit e Kosova A” i dhanë “dhuratën më të mirë për ditëlindje”.

Ishte rikthyer njësia A5 në operim.

Madje, ministrja postoi edhe disa fotografi në njërën prej të cilave dukej para një tavoline të shtruar si në raste festash.

Por, nuk kishte aspak vend për festë.

Blloku A5 kishte rënë nga funksioni më 21 korrik të vitit 2022. Nacionale kishte raportuar se një gjë e tillë kishte ndodhur për shkak se ky bllok kishte mbiprodhuar dhunshëm. Kjo ishte mohuar menjëherë nga KEK-u me disa fjali që tingëllojnë sot qesharake:

“Blloku A5 është ndalur sipas planit të revizionit të përditësuar për 6 mujorin e dytë në procedurë të rregullt duke respektuar udhëzimet teknologjike. Lidhur me këtë, blloku A5 ka punuar mbi 76 ditë pa ndërprerje dhe është paraqitur nevoja për ndalje dhe intervenim të rregullt.” – thuhej nga KEK-u.

Por, siç tashmë e dimë, blloku A5 nuk u kthye në funksion për dhjetë muaj me radhë, deri më 7 maj 2023 duke e thyer çdo rekord të mëhershëm.

Megjithatë, ministrja Rizvanolli kishte qenë vazhdimisht optimiste.

Në dhjetor ose janar

Ministrja Rizvanolli në muajin nëntor ishte shprehur se “në rastin më të mirë, A5-shi rikthehej në funksion në fund të dhjetorit,”

“KEK-u është duke parë edhe mundësitë përmes konsulencës së ekspertëve gjermanë që ky bllok të kthehet sa më shpejtë që është e mundur, në rastin ideal deri në fund të dhjetorit apo fillim të janarit,”kishte thënë ajo.

Kishe ardhur fundi i dhjetorit e më pas edhe fillimi i janarit por A5-shi nuk ishte rikthyer në operim.

Më 1 prill

Kjo s’do ta pengonte ministren që të fliste sërish për rikthimin e A5-shit në operim.

“Janë nënshkruar disa kontrata dhe pritet që blloku A5 të rikthehet në punë prej datës 1 prill,”kishte thënë znj. Rizvanolli në muajin shkurt.

Siç e dimë, as kjo nuk kishte ndodhur. Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi do të arrestohej më 19 prill.

Rizvanolli e kishte mbrojtur edhe emërimin e Krasniqit si shef të KEK-ut përkundër që kishte qenë aktivist i Vetëvendosjes.

“Nëse nuk dëshironi më ju quajt gënjeshtare atëherë mos gënjeni. Konkursi mbas të cilit është emëruar Krasniqi ka qenë konkurs i hapur. Bordi e ka vlerësuar më së shumti pikë, ku në proces të rekrutimit ka qenë e përfshirë edhe kompania BDO e angazhuar nga ambasada britanike të cilët e kanë vlerësuar këtë kandidat më pikët më të larta dhe të vetmin të emrushëm. Pas kësaj është emëruar Krasniqi si kryeshef,” - ishte shprehur ajo në seancë të Kuvendit.

Humbjet nga mos-operimi i A5-shit vlerësohet të kenë qenë mbi 100 milionë euro për Kosovën përgjatë kësaj periudhe.

Lajme të ngjashme