Dyshime për dallavere: Drejtori i KEK-ut negocoi personalisht me kompaninë polake për riparimin e bllokut A5 - NACIONALE

Dyshime për dallavere: Drejtori i KEK-ut negocoi personalisht me kompaninë polake për riparimin e bllokut A5

1 vit më parë

nga NACIONALE

Korporata Energjetike e Kosovës, që nga muaji korrik, është duke tentuar të gjejë një kompani e cila do të merret më riparimin e bllokut A5 të termocentralin Kosova A, që vazhdon të jetë jashtë funksionit. Tenderi për ketë bllok, është hapur disa herë, më arsyetimin se KEK-u s’po arrin të gjejë asnjë kompani që do të arrinte të riparonte bllokun A5, gjersa drejtori ekzekutiv, Nagip Krasniqi, udhëtoi në Poloni për të negociuar personalisht një kontratë.

Gjatë muajve korrik dhe gusht, Kosova është përballur më krizë energjetike pasi që pothuajse të gjitha blloqet ishin jashtë funksionit dukë përfshirë edhe bllokun A5, i cili që nga korriku është jashtë funksionit.

Një qasje të tillë të Qeverisë Kurti e ka kritikuar i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka ngjallur dyshime për çështjen e riparimeve të shumta në KEK.

“Përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendoj asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderët riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë.”, tha z.Abdixhiku.

Jashtë funksionit, negociatat...

Siç ka raportuar gazeta Nacionale, blloku A5 ishte ndalur në mënyrë të dhunshme nga frika e shpërthimit pasi që kishte kaluar orët e parapara të punës, për të cilën gjë menaxhmenti i KEK-ut ishte paralajmëruar disa herë.

Njësia A5 që prodhon rreth 130 megavate energji elektrike ishte planifikuar të shkonte në remont (servisim të thellë) më 16 korrik të këtij viti, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

KEK-u ka lënë në prodhim këtë njësi më shumë sesa që ka qenë e planifikuar. Sipas rregullave teknike brenda KEK-ut, njësia A5 duhej të shkonte në remont pas 32 mijë orëve pune, por menaxhmenti i KEK-ut e ka lënë këtë njësi që është e vjetër 47 vite (1975) të kapërcejë mbi 40 mijë orë pune.

“Një zhurmë e madhe është dëgjuar te gjeneratorët poshtë. Një zhurmë e pazakontë dhe shqetësuese”, tha një punëtor i KEK-ut për Nacionale, duke mos dashur të zbulojë identitetin e tij.

Kur kanë kaluar 2 muaj e 6 ditë, blloku A5 ende nuk ka filluar të riparohet.

Për ketë bllok është hapur një tender, i cili sipas dokumentacionit është në rregull dhe çdo kompani e cila arrin që të i përmbush kushtet e tenderit mund të aplikojë.

Sipas burimeve të Nacionales, Nagip Krasniqi, drejtor ekzekutiv i KEK-ut, në të gjitha takimet me ofertues potencial, po i bën vetë ai personalisht. Për më shumë, në udhëtimet e tij, z.Krasniqi, që me profesion është ekonomist, s’po shoqërohet me asnjë nga ekspertët e KEK-ut, ekspertiza e të cilëve është e nevojshme gjatë negociatave.

Së fundmi, z.Krasniqi ka udhëtuar, sigurisht i vetëm, drejt Polonisë.

Drejtori ekzekutivi i KEK-ut ka qëndruar disa ditë në Poloni, për të negociuar më një kompani polake SBB Energy.

Madje, kohë më parë, edhe përfaqësuesit e kësaj kompanie qëndruan në Kosovë, më saktësisht në KEK me datën 5 dhe 6 korrik të këtij viti. Ata udhëtuan drejt Kosovës për të diskutuar për tenderin nga KEK-u për riparimin e bllokut A5, i cili deri më datën 19 korrik 2022 ishte duke punuar, ndonëse kishte kaluar orët e parapara të punës.

Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të z.Krasniqit, duke kërkuar listën e udhëtimeve zyrtare që i ka bërë si drejtor ekzektiv i KEK-ut. Si pothuajse gjithnjë, edhe kësaj radhe kanë munguar përgjigjet nga menaxhmenti i KEK-ut.

Por, gazeta Nacionale ka arritur të sigurojë disa emaile të brendshme të KEK-ut, e ku dëshmon se Nagip Krasniqi është takuar me kompaninë polake SBB Energy, ndonëse tenderi i shpallur ishte i hapur për aplikim nga të gjitha kompanitë.

Por, mundësitë e barabarta në këtë tender mund të jenë cenuar, pasi sipas emaileve temë e diskutimit ishte edhe mundësia e riparimit të bllokut A5, gjë e cila shkelë ligjin e Prokurimit Publik, që parasheh trajtim jodiskriminues në tenderim.

“Barazia në Trajtim/ Jo-Diskriminimi

1. Autoriteti kontraktues do ti trajtoj operatorët ekonomik në mënyrë të barabartë dhe jo-diskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente.”, thuhet në nenin 7 të Ligjit për Prokurorim Publik.

Megjithatë, takimi nuk ka rezoltuar i sukesshëm. Siç merr vesh Nacionale, Krasniqi nuk ka arritur të negociojë ndonjë marrëveshje të suksesshme deri tani, ndonëse ishte vetë drejtori ekzekutiv që shkoi edhe në zyrat qendrore SBB Energy në Poloni.

Sipas burimeve të Nacionales, hapja e ofertës për riparimin e turbinës, gjeneratorit dhe kaldajës se bllokut A5, është parapare të bëhet më 19 shtator, por data është shtyrë për 29 shtator.

Kujtojmë që në muajin gusht, Kosova është përballur me kufizime elektrike, gjersa Qeveria Kurti ka paralajmëruar një dimër të vështirë energjetik.

Lajme të ngjashme