Dita 1 pas sanksioneve: Kurti e godet ShBA-në, ndërkombëtarët e fajësojnë Kosovën për gjendjen në veri
Dje, pra më 30 maj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i vendosën Kosovës sanksionin e parë, duke e përjashtuar nga ushtrimet e përbashkëta ushtarake në kuadër të “Defender 23”. Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, paralajmëroi edhe të tjera sanksione në rast të mos plotësimit të kërkesave të ndërkombëtarëve. Por çfarë ndodhi në ditën e parë pas sanksioneve?
Në krahasim me ditët e kaluar, veriu i Kosovës ishte kryesisht i qetë por megjithatë situata ishte e tensionuar dhe sërish kishte protestë. Në mbrëmje, Policia e Kosovës njoftoi se kishte një sulm ndaj një veture të saj në veri nga huliganë serbë të maskuar.
“Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.” – thuhej në njoftimin e Policisë.” – thuhej në komunikatën e Policisë.
Kritikat e Kurtit
Ndoshta zhvillimi kryesor i ditës ishte një seri e intervistave të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, për mediet ndërkombëtare si The Financial Times e Politico. Sigurisht, z. Kurti ka folur për situatën aktuale në veri, përfshirë sanksionet e ShBA-së ndaj Kosovës. Në Politico, këto sanksione nga ana e ShBA-së, Kurti i ka quajtur si “reagim të tepruar”, ndërsa shtoi Perëndimi po e kënaq Serbinë.
“Perëndimi po e kënaq Serbinë”, i tha Kurti Politico-s, duke shtuar se “Beogradi do të përcaktojë nëse përplasjet e fundit do të kthehen në një konflikt më të gjerë”.
Tutje, Kurti i ka cilësuar si joproporcionale dhe të padrejta sanksionet e vendosura nga ana e ShBA-së.
“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket joproporcionale dhe të padrejta.” – deklaroi Kurti në një intervistë për Politico në margjinat e konferencës “GLOBSEC” në Bratislavë.
“Isha i befasuar” – shtoi Kurti në intervistë, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.
Ndërsa në intervistën për Financial Times, Kurti vlerësoi se Serbia duhet të sanksionohet që po i jep përkrahje një milicie fashiste në veri. Pra Kurti i dha “pak sugjerime” ShBA-së se kë duhet ta sanksionojë, një ditë pasi Kosova u sanksionua nga amerikanët.
“Ata që flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë apo më thellë.” - tha Kurti në një intervistë për Financial Times.
“Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse dhe po financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të vendit tim, kështu që ndoshta ata duhet të [marrin] sanksione.” – deklaroi Kurti.
Sigursht, edhe ndërkombëtarët kanë folur gjatë ditës së sotme. Presidenti i Francës, Emanuel Macron, e bëri përgjegjës Qeverinë e Kosovës, që drejtohet nga Kurti, për ngjarjet në veri të vendit. Në Forumin e Sigurisë në Bratislavë, Macron deklaroi se për trazirat, Kosova është përgjegjëse.
“Autoritetet e Kosovës mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm", ka thënë presidenti francez, raportoi gjatë ditës Radio Evropa e Lirë.
I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili u takua me Kurtin, e cilësoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për të intervenuar në veri si të “pamatur”.
“Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të futur kryetarët në objektet komunale me forcë ishte i pamatur dhe ka pasur pasoja të dëmshme”, ka thënë ai duke shtuar se ka nevojë për depërshkallëzim të menjëhershëm.” – vlerësoi ai.
Ndërsa situatën në veri e ka komentuar edhe ministri i Mbrojtjes i Italisë, duke e quajtur si situatë të çmendur.
“Situatë e çmendur. Janë kryetarë komunash të zgjedhur me 1%. Dikush donte t'i vendoste benzin zjarrit. Ndikimi i Putinit? Raporti Kosovë - Serbi është i vështirë me dekada saqë s'ka nevojë të vijë askush tjetër." – deklaroi ai.




