Diskutohet liberalizimi i vizave për Kosovën, publikohet agjenda e takimit të ambasadorëve të BE-së
Ambasadorët e Bashkimit Evropian pritet që nesër të mbajnë një takim të radhës, ku mes disa çështjeve, do të diskutohet edhe ajo e liberalizimit të vizave për Kosovën. Mbledhja, pritet që të fillojë nga ora 09:00.
Në faqen zyrtare të Këshillit Evropian është publikuar agjenda e plotë e takimit të grupit të njohur si Coreper, ku shihet se do të diskutohet për shumë tema.
“Propozimi për një Rregullore të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit që ndryshon Rregulloren (KE) Nr. 539/2001 që liston vendet e treta, shtetasit e të cilëve duhet të kenë viza kur kalojnë kufijtë e jashtëm dhe ato shtetasit e të cilëve janë të përjashtuar nga kjo kërkesë (Kosova)”, thuhet në një prej pikave ku flitet për çështjen e Kosovës.

Po ashtu, sipas detajeve që janë bërë të ditura në faqen zyrtare, takimi i ambasadorëve pritet të fillojë në orën 09:00.
Ndërkohë, siç ka raportuar Radio Evropa e Lirë të martën, sipas një teksti të përpiluar nga Çekia, e cila mban presidencën e BE-së aktualisht, liberalizimi i vizave do të bëhet kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit ETIAS me datë 1 nëntor 2023.
Në rast se sistemi vonohet, vizat për Kosovën do të hyjnë në fuqi jo më vonë se më 1 janar 2024.
“Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.”, thuhej mes tjerash në raportimin e REL.
Çfarë është Coreper II?
Coreper, sipas informacioneve në faqen zyrtare të Këshillit Evropian, është organi kryesor përgatitor i këtij institucioni.
Coreper II përbëhet nga përfaqësues të përhershëm të çdo shteti anëtar. Ai kryesohet nga përfaqësuesi i përhershëm i vendit që mban kryesimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.
Coreper II përgatit punën e 4 konfigurimeve të Këshillit:
çështjet ekonomike dhe financiare
pune te jashtme
çështjeve të Përgjithshme
drejtësia dhe punët e brendshme
Puna e Coreper II është përgatitur nga 'Antici Group'. Ky grup jozyrtar ndihmon për të krijuar një ide fillestare të qëndrimeve që delegacionet e ndryshme të vendeve anëtare do të marrin në takimin e Coreper.
Coreper nuk është organ vendimmarrës i BE-së dhe çdo marrëveshje që arrin mund të vihet në pikëpyetje nga Këshilli, i cili ka fuqinë për të marrë vendime.
Çka është liberalizimi i vizave?
Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.
Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj.
Një liberalizim potencial nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht. Gjendja në këtë marrëveshje çdoherë mbetet për t'u rivlerësuar. Së pari, qytetarët si individë mund të marrin gjoba, në rast të shkeljes së kushteve të përcaktuara. Së dyti, në situata kur dëshmohet shkelja e abuzimi me kushtet e udhëtimit pa vizë dhe kjo ndodh në numër të rëndësishëm, atëherë Bashkimi Evropian mund të rishikojë ose suspendojë marrëveshjen për liberalizimin e vizave me shtetin përkatës. Rrjedhimisht liria e lëvizjes për në këto vende, mund të mbarojë.

