Diskriminim selektiv: Qeveria ua ndal nga 100 euro mësimdhënësve të qendrave të kompetencave - NACIONALE

Diskriminim selektiv: Qeveria ua ndal nga 100 euro mësimdhënësve të qendrave të kompetencave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mësimdhënësit e qendrave të kompetencave dhe ata të shkollave speciale dje nuk i kanë marrë pagat e plota nga Qeveria. Për shkak të grevës, kësaj kategorie të mësimdhënësve paga e shtatorit u ka dal me 100 euro më pak. SBAShK-u veprimin e ka quajtur diskriminues, duke paralajmëruar veprime adekuate.

Jo të gjithë mësimdhënësve dje u kanë dalë pagat e plota. Mësimdhënësit e institucioneve arsimore që menaxhohen nga institucionet qeveritare, janë diskriminuar dje me ekzekutimin e pagave.

Mësimdhënësve të qendrave të kompetencave dhe shkollave speciale pagat e shtatorit u kanë dalë me 100 euro më pak për shkak të grevës që ata e kanë bërë gjatë muajit të kaluar.

Drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve e cila i menaxhon këto institucione, Fikrije Zymberi, është munduar të shfajësohet për një veprim të tillë.

Ajo ka thënë për gazetën Nacionale se vetëm i ka zbatuar vendimet që i kanë ardhur nga lart.

Ne jemi zyrtarë shtetërorë dhe vendimet e urdhrat na vijnë nga lart. Ka qenë për organizimin e grevës 25-30 gusht dhe është dashtë me i deklaruar emrat e mësimdhënësve që kanë qenë në grevë. Kjo ka qenë për qendrat e kompetencës dhe qendra burimore”, ka thënë Zymberi.

SBAShK-u ka dënuar një veprim të tillë, duke e konsideruar si diskriminues.

Ymer Ymeri nga kjo sindikatë ka thënë për gazetën Nacionale se ndalja e pagave ka ndodhur për mësimdhënësit dhe punëtorët teknikë të institucioneve shkollore që menaxhohet nga agjencitë e pavarura dhe MAShTI.

Qendrave të kompetencave dhe shkollave speciale u është ndalur një pjesë e pagës. Pra mësimdhënësve të shkollave që menaxhohen qoftë nga agjencioni, qoftë nga Ministria e Arsimit, ua kanë ndalë nga 100 euro, kurse punëtorëve teknikë nga 40 euro”, ka thënë Imeri.

Sipas tij, ky veprim është diskriminues.

Një veprim i tillë është një shkelje, sepse të gjithë grevistët në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe ata që financohen nga komunat, e kanë marrë pagën e plotë, ndërsa atyre ua kanë hequr nga 100 euro dhe punëtorëve teknikë nga 40 euro. Është shkelje e të drejtave të punës, por njëkohësisht është edhe diskriminim në krahasim me grevistët e tjerë”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se janë duke marrë informata nga tereni për të ndërmarrë veprime konkrete.

Dje, në takime me kryetarët, kemi kërkuar të mbledhin informacione të sakta gjatë vikendit që të shohim se sa është numri i atyre dhe do të shikojmë pastaj. Ne të hënën do t`i dërgojmë shkresë zyrtare agjencionit që i menaxhon qendrat e kompetencës, por edhe ministrisë që i menaxhon shkollat speciale, dhe do kërkojmë sqarime pse ka ndodhur kjo. Pasi ta mësojmë arsyen, ne do të shikojmë t`i marrin veprimet karshi kësaj qe ka ndodhur”, ka thënë ai.

Ndaj ndaljes së një pjese të pagës ka reaguar edhe mësimdhënësi Malos Bejta.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nëse nuk u del paga e plotë, do ta shqyrtojnë mundësinë e futjes në grevë.

Lajmi i djeshëm për dhënien e pagave është i pasaktë, këtë e mundësoi znj. Fikrije Zymberi, Drejtoreshe e Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve, e cila po vazhdon me u talle me mësimdhënësit e gjashtë shkollave profesionale në nivel vendi, duke na bërë ndalesa në pagë, pa na e dhënë asnjë sqarim paraprak! Nëse nuk na jepet një sqarim i cili ka bazë ligjore, dhe nëse të hënën deri në ora 16:00, nuk me del paga e plotë, unë do bëjë çmos që të paktën kolektivi ynë te futemi në grevë serish”, ka shkruar ai.

Kallëzimi penal kundër Hekuran Muratit

Qeveria e Kosovës tek dje ka ekzekutuar pagat e shtatorit për mësimdhënësit, të cilët kanë qenë në grevë gjatë muajit të kaluar.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ekzekutimi i pagave ka qenë si paradhënie për t`i zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës.

Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri të mësimit, të miratuar nga MASHTI.”, ka shkruar Murati në profilin e tij në “Facebook”.

Subjektet opozitare kanë dënuar veprimin e Qeverisë për mosekzekutim të pagave për mësimdhënësit.

Madje, për këtë çështje PDK-ja ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj ministrit Murati.

Personat e kallëzuar, në cilësi të personave zyrtarë, përkatësisht si titullarë të institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ligjore dhe legjislacionin në fuqi, kanë ndërmarrë veprime për ndalimin (mosekzekutimin) e pagës për muajin shtator për mësimdhënësit e komunave të Republikës së Kosovës, të cilët kanë ushtruar të drejtën kushtetuese e ligjore për grevë”, thuhet në kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

Për avancimin e Arsimit dhe aftësimit profesional dhe për të rritur MASHTI ka themeluar Agjencinë për Arsimin dhe Aftësimin profesional dhe Arsim për te Rriture, cila është përgjegjëse për zbatimin e politikave në këtë fushë. Aktualisht Kosova ka 6 institucione të AAPRr, katër qendra te kompetencës dhe dy shkolla profesionale.
Gjithashtu, Kosova ka 7 shkolla speciale.

Lajme të ngjashme