Humanizëm dhe heroizëm i rrejshëm i zonjës Nagavci - NACIONALE

Humanizëm dhe heroizëm i rrejshëm i zonjës Nagavci

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zonjën Nagavci e kishim njoftuar muaj më parë me kërkesat legjitime të anëtarësisë dhe e kishim lutur sa herë takoheshim që ato t’i prezantonte në takimet e Qeverisë duke e paralajmëruar se nëse ato nuk shqyrtohen do të vijë deri të greva, sepse kjo ishte kërkesë e anëtarësisë. Zonja Nagavci, as para grevës e as gjatë saj, as edhe një herë nuk ishte ministre e Arsimit dhe nuk iu dëgjua zëri në emër të punëtorëve të arsimit, po nuk mungoi e nuk hezitoi me deklarata urdhëruese e madje edhe plot shantazh e kërcënime. Ajo vazhdoi t’u duartrokiste edhe fyerjeve e deklaratave nënçmuese te Dimalit, Yllit, Dibranit, Sadriut e disa të tjerëve që u ka humbur çdo gjë njerëzore.

Ajo nuk u ndie keq as kur Qeveria ua dha pagat shërbyesve civilë, që, bashkë me punëtorët e sektorit të arsimit, ishin në të njëjtën grevë të shpallur nga BSPK-ja, kurse të punësuarve në sektorin që ajo e përfaqëson, iu ndalën pagat. Në vend të kësaj, ajo i duartrokiti Hekuran Muratit dhe ndëshkimit që po u bëhej punëtorëve të sektorit në të cilin ajo ishte ministre. Zonja Nagavci, për t’u hyrë në qejf shefit dhe Hekuranit, shkoi edhe me tutje duke nxjerrë urdhër se, pos dënimit me paga, mësuesit duhet edhe t'i zëvendësojnë orët e humbura.

Kur opinioni u ngrit në këmbë kundër ndëshkimit që po u bëhej punëtorëve të arsimit, duke shkelur çdo ligj dhe madje edhe anën humane, zonja Nagavci gjoja u ngrit në këmbë dhem për ta mbuluar turpin e Qeverisë, iu bashkua prapë Dimalit e të tjerëve dhe u mundua t'i merrte rolet e humanistes dhe heroinës, duke bërë angazhime që punëtorët e arsimit të paguhen, por nuk e la anash urrejtjen ndaj SBAShK-ut dhe akuzoi pa fijen e fakteve se kryesia i paska lënë në baltë mësuesit dhe se ajo paska dashur t’i shpëtonte. Nagavci paska dashur t’i shpëtonte. Ironike kjo nga zonja Nagavci, e cila tërë kohën e grevës dha urdhra dhe nuk la fjalë të keqe pa thënë për grevistët sa për t’ua bërë qejfin Hekuranit dhe shefit të madh.

Zonja Nagavci, sa për ty e po të pyeteshe ti, pagat e shtatorit kurrë nuk do t’i merrnin punëtorët e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitet, por këtë humanitetin, në thonjëza, dhe heroizmin tënd, në thonjëza, u mundove ta shesësh kot të punëtorët e arsimit dhe e bëre me shpresën se do të krijoje përçarje, përçarje që u mundove ta bësh edhe gjatë gjithë grevës, por të shkoi kot. Ruaje atë foton me fëmijën dhe me shefat në bankat shkollore. Vazhdo me Dimalin, Yllin, Rronin, Sadriun, Dibranin e ndonjë tjetër, që nuk u ka mbetur as edhe një fije nga njerëzorja. Kënaqu e duartrokit, kur fyhet e shahet mësuesi, por mos u shtir si heroinë, se kot e ke.

Punëtorët e arsimit janë bashkë e në SBAShK dhe uniteti I tyre është i pathyeshëm. E ti pyete veten se a ishte bile një ditë ministre e tyre apo i le gjatë ditëve, javëve e muajve në baltë, se zë e mbrojtëse e tyre nuk ishe qëkurse u bëre ministre e deri më tani. Zonja Nagavci, inati dhe mllefi i paarsyeshëm ndaj meje e sindikalistëve ua ka bllokuar trurin edhe disa deputetëve të partisë suaj. Njëra prej tyre, dje në parlament, i përsëriti shpifjet e Hekuranit për SBAShK-un dhe që të dy do të jenë në përballje para drejtësisë, sepse e kanë tepruar. Boll më!

Ti vazhdo me Dimalin, Yllin, Rronin, Sadriun, Dibranin e ndonjë tjetër të pini kafe e të lavdëroheni për fyerjet që ia kanë bërë e do t'ia bëjnë figurës së mësuesit.

Lajme të ngjashme