“Lë të jetë shembulli i fundit i keq që e ndërmerr kjo Qeveri” - çka tha opozita pas ekzekutimit të pagave? - NACIONALE

“Lë të jetë shembulli i fundit i keq që e ndërmerr kjo Qeveri” - çka tha opozita pas ekzekutimit të pagave?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Financave sot gjatë ditës ka bërë ekzekutimin e pagave për mësimdhenësit grevistë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pas njoftimit për ekzekutimin e pagave ka thënë se pagesa e bërë të premten “është paradhënie për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimit, të miratuar nga MASHTI”.

Deri më sot, qeveria ka përdorur nenin 18 të ligjit të grevës për të justifikuar mospagesën.

MASHTI kërkoi javën e kaluar që në muajin tetor të realizohet një pagesë e parakohshme për të kompensuar orët e humbura në shtator.

Ministria mori vendimin për të ndryshuar kalendarin e shkollës dhe për të kompensuar kohën e humbur në mënyra të tjera, si për shembull duke mbajtur mësim të shtunave.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka dalë kundër kësaj ideje, të cilët janë shprehur e pakënaqur për mosekzekutimin e pagave.

Anëtari i këshillit drejtues të SBASHK-ut, Skënder Gashi, ka thënë orët e humbura gjatë muajit shtator për shkak të grevës nuk do të zëvendësohen, pasi sipas tij, vendimi i ministres Nagavci, ka qenë i njëanshëm.

Ai ka thënë po ashtu se këtë do ta bëjnë duke respektuar kontratën kolektive, gjegjësisht nenin 34, të kontratës koletive të pikës 8, ku thuhet se orët mësimore gjatë grevës nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë një marrëveshje të veçantë.

“Ministria e Arsimit Arbërie Nagavci ka nxjerrë një vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, por ne do ta respektojmë kontratën kolektive, gjegjësisht nenin 34, të kontratës koletive të pikës 8, ku thuhet se orët mësimore gjatë grevës nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë një marrëveshje të veçantë. Vendimi i zonjës Nagavci ka qenë vendim i njëanshëm, andaj ne orët nuk do t’i zëvendësojmë. Ne do ta respektojmë kontratën kolektive”, tha Gashi në KlanKosova.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka dalë kundër propozimit të MASHT-it për kompenzimin e orëve të humbura gjatë vikendit.

Në vend të kësaj, është propozuar që orët e humbura gjatë javës të kompenzohen gjatë ditëve të punës dhe jo në ditë të pushimit pasi kjo mund të shkaktoj lodhje tek fëmijët dhe familjet e tyre, si dhe për shkak të pasigurisë që na pret si pasojë e krizës energjetike.

“Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes” – kështu e komentoi vendimin e sotëm të vonuar të Qeverisë për t'iu ekzekutuar pagat mësimdhënësve ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, duke cituar ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Winston Churchill.

Sipas Hoxhajt, kjo u bë e mundur falë vendosmërisë të palëkundur të mësimdhënësve dhe këmbënguljes sonë politike.

“Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes”! Kjo ironi e Winston Churchill-it justifikon vendimin e sotëm të vonuar të Qeverisë për t'iu ekzekutuar pagat mësimdhënësve, gjë që ndodhi falë vendosmërisë të palëkundur të mësimdhënësve dhe këmbënguljes sonë politike!” – tha Hoxhaj në Facebook.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se uroi që që ndalja e pagave për mësimdhënësit të “jetë shembulli i fundit i keq që e ndërmerr kjo Qeveri”.

“Pagat e mësimdhënësve dolën!Le të shpresojmë që ndalja e pagave për mësimdhënësit të jetë shembulli i fundit i keq që e ndërmerr kjo Qeveri. Po ashtu, uroj që ky pushtet të filloj e të punoj ndonjë gjë, ngase dënimi i qytetarëve nuk mund të cilësohet si punë.” – tha Gashi në Facebook.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në lidhje me mosekzekutimin e pagave ndaj mësimdhënësve, tha se kjo Qeveri karakterizohet me zhvendosjen e vëmendjes nga “temat e mëdha”.

“Rrini në temë: Masat antiinflacion, energjia, ikja e të rinjve dhe ballafaqimi në tavolinë të bisedimeve për marrëveshjen finale me Serbinë”, tha tutje ai.

Kujtojmë që përveç opozitës, kundër mosekzekutimit të pagave ndaj mësimdhënësve kishin dal edhe deputet të pushtetit.

Ndër to ishte deputetja e Listës Guxo e cila, përmes një reagimi, kishte thënë se nuk pajtohet me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator.

Ajo kishte thënë se pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga, marrë parasysh situatën ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve.

Reagim të ngjashëm kishte bërë edhe deputeti Haxhi Avdyli, i cili i ishte bashkuar thirrjes për lëshimin e pagave për mësimdhenësit grevistë.

Lajme të ngjashme