Dhjetë të vrarë nga sulmi rus në Zaporizhia, një në Bakhmut
Shërbimet emergjente në Ukrainë raportuan të shtunën se dhjetë persona janë vrarë nga një sulm rus me raketë të enjten në Zaporizhia, me ç’rast u godit një bllok banesor 5-katësh.
Drejtoria Kryesore e Shërbimit Shtetëror Emergjent të Ukrainës tha në një deklaratë se shpëtuesit gjatë natës nxorën edhe tre trupa të tjerë nga rrënojat, rreth 36 orë pasi një raketë ruse depërtoi në katër kate të ndërtesës.
Ky institucion tha se në mesin e të vrarëve ishte një fëmijë dhe se përpjekja e kërkim-shpëtimit është duke vazhduar, raporton agjencia “Associated Press”.
Në Bakhmut, një grua u vra dhe dy burra u plagosën rëndë nga predhat, përderisa po mundoheshin që të kalonin nëpër një urë të improvizuar për të dalë nga qyteti të shtunën, sipas ushtarëve ukrainas që po u jepnin ndihmë civilëve.
Një përfaqësues i ushtrisë ukrainase, i cili kërkoi që të mos identifikohej për arsye operacione, i tha agjencisë AP se tashmë është shumë rrezik që civilët të largohen nga qyteti me automjete dhe se njerëzit po detyrohen që të largohen duke ecur.
Një ekip i agjencisë AP afër Bakhmutit pa të shtunën një urë të përkohshme, të montuar nga ushtarët ukrainas, për t’u ndihmuar qytetarëve të paktë të qytetit për të arritur në fshatin Khromove. Më vonë, ata panë të paktën pesë shtëpi të kapluara nga zjarri si rezultat i sulmeve në Khromove.
Banori i qytetit Bakhmut, hennadiy Mazepa, dhe bashkëshortja e tij, Natalia Ishkova, kanë vendosur që të qëndrojnë në qytet, edhe pse betejat e ashpra kanë shkatërruar një pjesë të madhe të qytetit.
Duke folur të shtunën, zonja Ishkova tha se kanë vuajtur nga mungesa e ushqimit dhe e shërbimeve themelore.
“Ndihma humanitare na jepet vetëm një herë në muaj. Nuk ka rrymë, nuk ka ujë, nuk ka gaz. I lutem Zotit që të gjithë që mbeten këtu, të mbijetojnë”- tha ajo.

