Fabrika ukrainase që prodhon bunkerë për gjashtë persona për vijat e frontit - NACIONALE

Fabrika ukrainase që prodhon bunkerë për gjashtë persona për vijat e frontit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Xixat e saldimit dhe era e rëndë e pajisjeve për lëmim e mbushin hapësirën e gjerë të dyshemesë së një fabrike çeliku në Kryvni Rih, qytet në pjesën qendrore të Ukrainës, vendlindje e presidentit Volodymyr Zelensky.

Në vend se ta bënin punën e rëndomtë – prodhimin dhe riparimin e pajisjeve për miniera, disa punëtorë ishin të zënë duke përgatitur bunkerë të metaltë për ushtarët në vijën e frontit. Projekti është nisur nga kompania ukrainase e metaleve dhe minierave, “Metinvest”, ndërsa punëtorët thonë se janë të lumtur që po kontribuojnë për rezistencën e vendit të tyre kundër pushtimit rus.

Tash për tash, kjo e nënkupton montimin e materialeve të parafabrikuara për të bërë strehimore nëntokësore duke përdorur një dizajn të periudhës sovjetike. Ata tashmë kanë dërguar 123 objekte të tilla, që janë 2 metra të gjera e 6 të gjata, në disa zona, përfshirë provincat Zaporizhia dhe Donetsk, përcjell Nacionale.

Për secilin bunker nevojiten gati dy tonë çelik. Bunkerët janë të ndërtuar për t’u rezistuar predhave me kalibra deri në 152 milimetra, në ta mund të futen deri në gjashtë ushtarë dhe objektet duhet të futen 1 metër e gjysmë nën tokë, raporton agjencia “Associated Press”.

“Kjo është që ata të mund të pushojnë, t’u shmangen sulmeve”- tha Petro Zhuk, i cili e menaxhon ekipin prej 40 personash që po i prodhojnë bunkerët. Edhe pse një bunker kërkon 165 orë punë, përfshirë parafabrikimin, ekipi i Zhuk-it mund të prodhojë nga një bunker në ditë, sipas tij.

Gjashtë shtretërit brenda bunkerit janë nga druri. Brenda tij mund të vendoset edhe një stufë, një dysheme e dyfishtë që mund të përdoret për ruajtjen e armëve dhe një dalje që çon te sipërfaqja, bashkë me një hyrje, e cila arrihet përmes tunelit, shpjegoi ai.

Zhuk-u shpreson se ushtarët ukrainas do të gjejnë sadopak rehati në këta bunkerë. “Përderisa janë brenda, nuk kanë pse të brengosen për një sulm që do të mund të ndodhte sa ata janë në gjumë. Mund të qëndrojnë rehat e të ngrohur”- tha në fund menaxheri i punëtorëve.

Lajme të ngjashme