Detaje për vrasjen në Skënderaj: Dy persona të maskuar hynë në lokal dhe qëlluan me armë
Një person ka mbetur i vrarë e tre të tjerë të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në Runik të Skënderajt.
Lajmin e ka konfirmuar për Nacionalen zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti.
Vrasja sipas informacioneve të Policisë, po dyshohet të ketë ndodhur kur dy persona të maskuar kanë hyrë në një lokal dhe kanë qëlluar me armë zjarri. Ata janë larguar nga vendi i ngjarjes.
"Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale", ka thënë Avni Zahiti për Nacionalen.