Gjashtë episode kur Kosova e mori në qafë shtetin shqiptar
Aventurierë që e kanë hero Albin Kurtin e kanë ndarë mendjen që, duke u fshehur pas rrecka-peckave të ‘revolucionit të flamingove’, të instalojnë një qeveri në Tiranë në kajde të Vetëvendosjes. Megjithëse e gjithë gjëja i ngjan një tragjikomedie të madhe, kjo po e përligj një stereotip të keq, atë të ‘kosovarit’ që i rras hundtë kudo dhe bëhet i neveritshëm për të gjithë. ‘Kosovarë’ ishin edhe ata aventurierë që më 1918 u bënë sebep që shteti neofit shqiptar t’i humbte rreth 3 mijë kilometra katrorë që i shkuan Jugosllavisë. Një ‘kosovar’ ishte njeriu që me kobure mbi kokë e detyroi kryeministrin e urtë Pandeli Evangjeli të jepte dorëheqje më 5 dhjetor 1921. ‘Kosovarë’ ishin edhe ata që formonin faksione e fraksione gjatë gjithë viteve ’20 duke e shndërruar Tiranën në një logbetejë tribalizmash. Ky kaos pastaj bëhej ftesë publike për fqinjët që mezi prisnin të ndërhynin në çështjet e brendshme shqiptare. ‘Kosovarë’ ishin edhe ata që në vitet 1930 e 1940 i frynë me kacek përhapjes së komunizmit në Shqipní. Le ta lexojmë historinë me çmimin e gëlltitjes së krenarisë dhe sedrës personale…
Col Mehmeti
Bandat vullnetare të Vetëvendosjes nuk po e fshehin dorën pas gurëve të fesatit siç bën Albini.
Populizmi prore e ka të nevojshme sajimin e një kauze të re, idealisht të pamundur, që t’i zgjasë jeten vetes.
Pasi Kosovën e Maqedoninë e vunë në gjendje kome, një rragatje për ta ‘rrëzuar’ Edi Ramën duket si tundim zor i rezistueshëm.
Në krejt këtë groteskë shqiptare, historia po zbulon gjithçfarë ironish që zgërdhihen në paradoksalitetin e tyre.
Për shembull, PS-ja, mediat socialiste e spindoktorët e saj ia kishin dhënë një goxha të shtyrë VV-së kur ajo ishte një forcë gati katakombë që nuk matej as me përqindje.
Ishin vitet kur besohej se disa të rinj në Prishtinë me jokonvencionalitetin e tyre mund të ishin shqiptarët e së ardhmes që do ta shartonin një shpirt nacionalist me kreativitet rinor.
U desh të kalonte vetëm viti i parë i regjimit të Albin Kurtit që të kuptohej se në fron ishte ulur një personazh mefistotelian që jo vetëm se nuk bashkonte shqiptarë, por vinte ledhe mes tyre.
Kur banditë nga Kosova, e bashkë me ta edhe çaushë shqiptarë të Mickoskit nga Shkupi e Tetova, vishen tebdilë si protestues, këtu pahetueshëm po shkruhet një stereotip i keq.
Thonë se ka një arsye për secilin stereotip dhe secili stereotip e shkruan vetveten.
Kështu këtillohet edhe stereotipi që ‘kosovari’ i vë zjarr edhe asaj pak Shqipníje që me një mijë mundime ngriti themelet dhe çatinë e një shtëpie njëkatëshe.
Po e lexuam të kaluarën si historianë të çprangosur nga gjuha e politikishtes korrekte, vërtet ka pasur njerëz nga Kosova, hajt t’i quajmë kosovarë, që e morën në qafë Shqipnínë.
Episodi 1: Aventura që ia humbi shtetit shqiptar 3 mijë kilometra katrorë
Faksioni ‘kosovar’ në shtetin e ri shqiptar e krijoi imazhin për veten si aventurierë, emocionalë e moskuptues ndaj një bote të re që doli nga Lufta e Parë Botërore.
Hasan Polaci, i tjetërquajtur ‘Prishtina’ si relike nga koha kur qe deputet i mexhlisit osman, u bë paragoni i këtyre njerëzve që nuk po e gjenin veten në realitetet e reja të shtetndërtimit.
Ata nuk po e kuptonin se Shqipníja e sapokrijuar nuk e kishte takatin e as substancën që të përdorej për rivendikime ndaj të tjerëve.
Me shumë gjasë, Republika e Shqipërisë do të kishte nja 32 mijë kilometra katrorë në vend të 28 mijëve sa i ka sot, po të sillej serioze kundrejt rregullave të reja ndërkombëtare.
Por, aventurat e faksionit dhe fraksionit ‘kosovar’ jo vetëm që e asgjësuan buffer zone-n përreth kufijve, domethënë atë rripin verilindor që siguronte neutralitet, por e armatosën Jugosllavinë me çdo argument të mundshëm që kufiri i ri shqiptaro-jugosllav prej Struge në Prizren e prej Prizreni në Vermosh, të ishte më i favorshëm për Jugosllavinë.
Episodi 2: Hasan Polaci me kobure
Se deri ku shkonte babëzia e tyre për të zapuar pushtetin e dëshmon edhe rasti gati i dhimbshëm i kryeministrit të parë ortodoks të Shqipnísë, Pandeli Evangjeli (1859-1949).
I emëruar kryeministër më 16 tetor 1921, ai do të jepte dorëheqje pa i bërë as dy muaj kur Hasani me të vetët i hynë në zyrë me kobure. Siç do ta kujtonte Mehdi Frashëri: “Unë, mbasi mbarova punë, u ktheva për në Shqipëri në muajin tetor, ku gjeta kabinetin e Pandeli Evangjelit. Mbas disa javësh si u ktheva në Shqipëri, ngjau incidenti i dorëheqjes së Pandeli Evangjelit me forcë nga ana e Mustafa Krujës dhe e shokëve të tij. Mbrëmjen e 5 dhjetorit 1921 Mustafa Kruja me disa shokë vete në hotelin e Ismetit, hyjnë brenda në odën e Pandeli Evangjelit dhe i propozojnë që të japë dorëheqjen, duke i thënë se, në rast të kundërt, do të derdhej gjak, kurse në realitet një gjë e këtillë nuk ekzistonte. Kurrkush nuk kishte ndonjë armiqësi kundër Pandeli Evangjelit ose shokëve të tij. Pandeli Evangjeli ose nga frika, ose nga zemërmirësia e tij, që të mos derdhej gjak, të nesërmen më 6 dhjetor dha dorëheqjen…Rënia e kabinitetit me forcë ishte shkelje e statutit, ofendim i parlamentit që i kishte dhënë votëbesimin Pandeli Evangjelit dhe fillesa e anarkisë. Kjo ngjarje pikëlloi gjithë nacionalistët dhe patriotët, prandaj gjithë nëpunësit dhanë dorëheqjen si sabotazh të qeverisë së paligjshme. Ky sabotazh filloi dhe në prefekturat e kështu Hasan Prishtina mbas 5 ditësh, më 12 dhjetor 1921 u shtrëngua të japë dorëheqje” (Mehdi Frashëri, Kujtime: vitet 1313-1933, OMSCA-1, 2001, f.99-100).
Dorëheqja e kabinetit të Evangjelit nën trysninë e Hasan Polacit me kobure është vetëm një nga episodët e papëlqyeshëm që është fshehur nën rrogoz për të shmangur hatërmbetjet këndej Drinit.
Pandeli Evangjeli në vitet '30
Episodi 3: “Po shitet kjo, po shitet ajo…”
Se faksioni ‘kosovar’ nuk donte t’ia dinte që shteti i ri kishte nevojë më shumë se kurrë për stabilitet, e dëshmon edhe një episod tjetër që ka rezonancë fare moderne.
Kur kolonjari Sejfi Vllamasi, si delegat nga Kongresi i Lushnjës, me urdhër të Këshillit të Regjencës mori udhën në Beograd për të zhvilluar bisedime që disa nga qytetet buzëkufitare t’i ktheheshin Shqipnísë, ‘kosovarët’ e Tiranës shpërthyen në histeri të plotë.
Siç kujton Vllamasi: “U nisa nga Tirana i akredituar me një letër të Aqif Pashës, si anëtar i Regjencës dhe personalitet i njohur, dhe mora masat për të mos u diktuar nga italianët, mbasi përveç kazasë së Korçës Shqipëria ishte e okupuar prej tyre. Kalova nëpër zonën franceze dhe në kufi të Strugës hyra në tokën jugosllave. Kur u muar vesh në Tiranë nisja ime për Beograd, pjesa e kosovarëve, që e kishin lidhur fatin e Kosovës me politikën italiane, filloi propagandën absurd: ‘Shkoi Sejfiu në Beograd për t’ia shitur definitivisht Kosovën Jugosllavisë’” (Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942, red. Marenglen Verli, Tiranë: Neraida, 2000, f.203).

Episodi 4: Qortimi i Mehdiut
Kur Shqipníja me sakrifica herkuliane u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve, përsëri faksioni e fraksioni ‘kosovar’, edhe para Nolit, edhe gjatë tij, përpiqej ta merrte fjalën vend e pavend për të folur për Kosovën në Gjenevë.
Në një moment, Mehdi Frashërit i kishte plasur damari dhe kishte thirrur me zemërim se ‘kosovarët’ po e tepronin kur mendonin se Lidhja e Kombeve e kishte vetëm hallin e tyre.
Kur aktualizohen anëpamje të tilla nga ato vite, me siguri që kjo sot prek sa e sa sedra dhe shkakton shkulme zemërimi për të përfunduar me një “Ata kurrë s’na duan”.
E vërteta është se kësokohe po lindte një klasë burrështetasish elitarë që shfaqnin perceptim e sens të rrallë.
Mediu, në këtë rast, e kuptonte se Shqipníja në shpërgej nuk u bë shtet për të bërë rivendikime as ndaj Jugosllavisë e as ndaj Greqisë, por si kompromis filigranik ku të dy shtetet fqinj, të stërfuqishëm krahasuar me shqiptarët, pajtoheshin që megjithatë të ekzistonte një shtet shqiptar.
Nëse prishej ky kompromis e kjo dakordancë e porcelantë, ekzistenca e shtetit riosh shqiptar do të ishte çështje ditësh derisa forcat jugosllave do ta përlanin për së gjalli.
Këtë duhet ta ketë pasur në mendje edhe Noli sardonik kur luajti me vargjet e tij: “A të duhen luftëtarë,/ gjithë botës t'i vësh zjarrë,/ do arratinë të marrë,/ merr nja dhjetë Kosovarë”.
Në vend të sienergjisë për shtetndërtim, gjithçka fillonte e mbaronte me politika ditore ku Hasanat e Bajramat herë bëheshin me njërin taraf politik e herë me tjetrin.
Prandaj, Mehdiu pati të drejtë.
Ai i fshikulloi ‘kosovarët’, por kjo gjë ishte salvim.
Sepse e ruajti Shqipnínë e fituar me aq mund, dhe kjo Shqipní në prapakthim i ruajti shqiptarët e mbetur nën Jugosllavi duke i bërë pjesë të saj kur e maturoi trupin e vet.
Episodi 5: Të marshosh me ushtrinë jugosllave
E çuditshme në pamje të parë, paradoksale madje, Jugosllavia gjer në 1941-n me shumë lehtësi i rraste turinjtë në çështjet e brendshme të shtetit shqiptar edhe përmes manipulimit të disa ‘kosovarëve’ në emigracion.
Në prag të sulmit të Boshtit mbi Jugosllavinë, në javën e parë të prillit 1941, ushtria jugosllave sulmon territorin e shtetit shqiptar nga dy drejtime.
Divizionet e këmbësorisë Zetska nga Liqeni i Shkodrës dhe Vardarska nga Dibra përparuan thellë në një përpjekje për t’u lidhur me trupat greke që kishin avancuar deri në Pogradec.
Pjesë e kësaj përpjekje të divizioneve jugosllave u bënë edhe qindra ‘kosovarë’, krerët e të cilëve, për shkak të disponimit antizogist, ishin rekrutuar nga Beogradi.
Episodi 6: Ta instalosh komunizmin
Në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, disa ‘kosovarë’ ishin të parët që po provonin të ndiznin me gurë stralli një eksperiment fatal, siç ishte komunizmi.
Mes tyre ishte pejani Ali Kelmendi (1900-1939), të cilin pas vdekjes regjimi komunist do ta shpallte ‘Hero të Popullit’.
Në fillim të viteve ’30, Aliu ishte mbase agjenti më aktiv që përçapej të përhapte komunizmin në Shqipní.
Me vete e kishte përvojën dhe specializimin e marrë në Moskë, e cila e kishte angazhuar në atë që u quajt si ‘Comintern’.
Ndonëse vdekja Aliun e mori herët, puna për etablimin e komunizmës në shtetin shqiptar do të vijohej më tej edhe nga të tjerë ‘kosovarë’.
Ata ishin gjakovari Elhami Nimani (1917-1998) dhe Ramadan Çitaku (1914-1990), të cilët mbanin miqësi të ngushtë me dy emisarët serbë, Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha. /Nacionale/