Analisti i krizave: Dështimi për marrëveshjen Kosovë-Serbi, rrit rrezikun e trazirave në veri të Kosovës
Marko Prelec, analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se dështimi për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë shton rrezikun e trazirave në veriun e Kosovës, të cilat mund të dëmtojnë seriozisht të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve.
Prelec tha se nuk pret ndonjë marrëveshje në takimin e së shtunës në Ohër, por shpreson në një përparim drejt zbatimit të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai theksoi se Kosova mund të dalë fituese me këtë plan, dhe i cilësoi shqetësimet se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë si të paqëndrueshme. Kjo situatë, sipas tij, shton rrezikun e destabilizimit në veriun e Kosovës.
"Ajo që me shqetëson mua më shumë dhe mendoj se duhet të shqetësojë udhëheqësit e të dyja vendeve, është rritja e mundësisë dhe rreziku i mundshëm për trazira të dhunshme në veriun e Kosovës, nëse nuk ka një marrëveshje. Shkalla e integrimit të veriut të Kosovës në kuadrin institucional të Kosovës që u zhvillua pas marrëveshjes së Brukselit, është kthyer shumë prapa përgjatë vitit të kaluar, tani jemi thuajse në pikën fillestare dhe kjo nuk është situatë e qëndrueshme në asnjë variant. Unë isha në Kosovë dhe në atë pjesë të Kosovës gjithashtu në muajin janar dhe mendimi i përgjithshëm i banorëve vendas dhe mbikëqyrësve ndërkombëtarë ishte se veriu i Kosovës ishte shumë afër konfliktit të dhunshëm disa herë përgjatë vitit të kaluar, kështu që ky është shqetësimi im. Nëse nuk ka marrëveshje mendoj se rreziku atje mund të shfaqet sërish dhe nëse ka dhunë në atë pjesë mund të dëmtohet seriozisht e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi." - ka thënë ai.