Dështimi i 'televizionit' të VV-së që u nis me bujë: Sa po shikohet e çka po postohet? - NACIONALE

Dështimi i 'televizionit' të VV-së që u nis me bujë: Sa po shikohet e çka po postohet?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

U nis me shumë bujë. Dy vite e gjysmë më parë, Lëvizja Vetëvendosje hapi ‘televizionin’ e saj në Youtube. Për më shumë, krejt këtë çështje e morën aq seriozisht, sa filluan realizimin e intervistave. Në total plasuan krejtësisht 11 video, përfshrië një intervistë me Albin Kurtin, kryetar i VV-së e tash edhe kryeministër i Kosovës. E në fund, dështoi tërësisht, duke mos ngarkuar asnjë video që 2 nëntori i vitit 2020.

Por, kur u hap, ai ngjalli shumë reagime, përfshirë atë të AGK-së dhe rrjetit evropian të gazetarisë, të cilët e cilësuan si sulm ndaj fjalës së lirë.

Një dështim absolut - fatmirësisht

Kanali i VV-së në Youtube, që nga shumë e cilësua si televizion, u hap më 6 gusht të vitit 2020.

LVV, atëbotë parti opozitare, u bë partia e parë dhe e vetmja në Kosovë me një kanal të tillë. E për këtë çështje, ata njoftuam në faqen e tyre në Facebook, duke u kërkuar qytetarëve të bashkohen në kanalin e tyre.

Ky është kanali zyrtar i TVV-së:

https://www.youtube.com/channe......

Ju lutemi që ta bëni subscribe.”, shkroi LVV në njoftimin e tyre.

Përkundër thirrjes, vetëm 2,200 persona u abonuan në TVV.

Ndërsa, sa i përket shikimeve në total, TVV, siç u quajt, është një dështim i madh. Në total, të gjitha 11 videot e publikuara morën 112,477 shikime.

Besnik Bislimi, aktualisht dyshi në Qeverinë Kurti, dhe sipas gjitha gjasave sekretari organizativ i ardhshëm i LVV-së, ishte i pari mysafir në ‘televizionin’ e partisë.

I djathti i VV-së foli për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, e cila po përballej me krizën e shkaktuar nga pandemia covid-19. Ai u shikua saktësisht 13 mijë herë.

E dyta që dha intervistë për TVV ishte Albulena Haxhiu, e cila foli për mocionin ndaj Qeverisë Kurti 1, e që u shikua tmerrësisht pak, veç 3,600 herë.

Normalisht, ylli i TVV-së, sa i përket shikimeve, është Albin Kurti. Ai ka më shumë se 2/3 e shikimeve në total që mori kjo nismë e VV-së, ndërsa nga 11 videot e publikuara nga TVV, 5 ishin të z.Kurtit.

Në 5 videot ku shihet Kurti, ai mblodhi 91 mijë e 500 shikime, duke qenë i pakonkurencë edhe në shikim në TVV, ashtu siç realisht është edhe në LVV.

Ai u deklarua për “qeverisjen alternative” të VV-së, dhe dha një intervistë 28 minutëshe për TVV. E pastaj aty u publikuan edhe fjalimet e tij në Stuttgart, Frankfurt e fjala e tij në nderim të aktorit të njohur, Adem Mikullovci.

Në këtë ndërmarrje ‘televizive’, u intervistua edhe zoti i demarkacionit, Shpejtim Bulliqi, dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deputete e VV-së, e cila foli për menaxhimin me COVID-19.

Ndërsa Dimal Basha, deputeti i VV-së, ngeli në çështjen e shikimeve, duke marrë veç 712 shikime, një debakël i vërtetë. Në fakt, Basha duket të ketë qenë personi që i dha “ters” televizionit të VV-së, pasi që ai është i fundit që u publikua në TVV. E që nga ‘Dimal tersi’, TVV faktikisht pushoi punën e saj.

Ankesat

Kur u publikua lajmi për hapjen e TVV, shumë gazetarë, analistë e njohës të medies reaguan.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shkroi një komunikatë, e ku shprehte shqetësimin për hapjen e televizionit TVV.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e pranon me shqetësim hapjen e televizionit të ri online, TVV, të drejtuar nga partia politike Lëvizja Vetëvendosje.

Themelimi i një mediumi televiziv nga një parti politike është i dëmshëm për lirinë e medieve. Një formë e tillë e funksionimit të televizionit nuk është gazetari.”, shkroi AGK.

Ndërsa, Federata Evropiane e Gazetarisë lëshoi një cicërim duke shkruar se TVV nuk është gazetari, por propagandë.

Televizioni i ri online TVV në Kosovë, është i krijuar drejtpërdrejtë nga një parti politike. Kjo nuk është gazetari. Kjo është propagandë në shërbim të politikanëve”, thuhej në reagimin e Federatës.

E këtë mesazh e përshëndeti AGK.

AGK i bashkohet reagimit të EFJ-së, duke theksuar se hapja e një televizioni të tillë është i dëmshëm dhe i papranueshëm për lirinë e medieve dhe për një shtet demokratik.”, shtoi AGK.

Por, në një deklaratë, krejtësisht cinike, zonja Albulena Haxhiu, tash ministre e Drejtësisë, deklaroi se VV, ndonëse kishte hapur një televizion, respekton punën e medies.

E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje”, kishte theksuar zonja Haxhiu atëbotë.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë asnjë sqarim nëse është ndërprerë puna e TVV-së dhe pse nuk kanë botuar ndonjë video që nga nëntori i vitit 2020.

Lajme të ngjashme