Çitaku: Qytetarët s'votuan për bllokadë, kërkoj falje që s’po kemi lajme më të mira me iu dhënë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, është deklaruar pas dështimit të 21-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se qytetarët nuk kanë votuar për ngërç institucional, por për ndërtimin e institucioneve funksionale.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë – kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja, të cilat do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. Fatkeqësisht, asgjë nuk është duke ndodhur,” deklaroi Çitaku.
Ajo i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë dhe të lehtësojë ecjen përpara drejt zhbllokimit institucional.
“I bëjmë edhe njëherë apel Vetëvendosjes që të reflektojë në mënyrë që të ecim tutje. Kërkoj falje që s’po kemi lajme më të mira për t’ju dhënë,” shtoi ajo.