Derisa Kosova vuan prej sanksioneve, Serbia në ofensivë diplomatike
Qeveria serbe ka shtuar aktivitetet e saj diplomatike për të trashur dosjen e saj për gjoja diskriminimin e serbëve në Kosovë.
Në këso vija është shpalosur edhe takimi i sotëm i drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq me ambasadoren zvicerane në Beograd, Anne Lugon-Moulin.
I gjithë takimi ka kaluar me akuzat që zyrtari serb ka bërë në adresë të Kosovës, sidomos për veprimet e fundit në lidhje me mbylljen e institucioneve paralele serbe.
Siç e jep njoftimin edhe faqja zyrtare e kësaj zyre, Petkoviq e ka njoftuar bashkëbiseduesen se Serbia ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të nivelit të lartë në mbledhjen e 58-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë.
Sipas tij, serbët në Kosovë po bëhen viktimë e “terrorit institucional” të Prishtinës.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, më tej, ka theksuar se Prishtina po i shtyp sistematikisht të drejtat e serbëve.
Me këtë rast, ai ka përmendur që, në një periudhë të shkurtër kohore, Prishtina ka mbylur me forcë trupat e përkohshme të komunave serbe, degët e Zyrës Postale dhe Zyrën e Bankës së Kursimeve.
“Këto janë institucione që janë jetike për popullin serb në Kosovë dhe iu japin serbëve një minimum shërbimesh publike e mirëqenie, nga përfitimet sociale e deri te pagat dhe pensionet”, citohet të ketë thënë Petkoviq.