Deputeti i VV-së i përgjigjet Nacionales pas akuzave të rënda të Kusarit për bordin e RTK-së
Intervistimi i kandidatëve për plotësimin e anëtareve të bordit në Radio Televizionin e Kosovës, është zhviluar të hënën, nga komisioni ad hoc, në krye me deputetin e Vetëvendosjes Fitim Haziri.
Por, këtë intervistim juristja e medieve, Flutura Kusari, e cila ishte monituruese e procesit, e ka quajtur si tentim të shkatërrimit të bordit të RTK-së, nga ana e partisë në pushtet, Vetëvendosjes.
Kusari ka thënë se procesi i intervistimit, ishte jashtëzakonisht joprofesional nga ana e deputetëve të shumicës dhe jotransparent.
“Vetëm VV-ja ka aftësi që me e shkatërru punën e saj të mirë që e ka bo me RTK-në deri më tani. Ky zhvillim do të pasqyrohet në detaje në të gjitha vlerësimet ndërkombëtare.
Deputetet përgjegjës janë: Fitim Hajrizi (kryetar i komisionit ad hoc), Arbëreshë Kryeziu, Njazi Isaku, Ergjan Galushi, Besim Muzaqi.
Vendim i drejtë i deputetes së AAK-së Albana Bytyqi dhe deputetit të LDK-së Agim Veliu që kanë paralajmëruar që nuk do ta nënshkruajnë procesverbalin”, është shprehur Flutura.
Por të gjitha këto akuza po i hedhë poshtë kryetari i komisionit, Fitim Haziri.
Ai për Nacionalen tha se të gjitha këto akuza janë të pavërteta. Sipas tij Flutura këtë reagim e ka bërë pasi Haziri i kishte thënë asaj se ka ndërhyrë në punën e anëtarëve të bordit, si dhe në përzgjedhjen e drejtorit Ahmetxhekaj.
“Reagimi i Fluturës vjen pas një debate që e kemi pas, i kam thanë që ju shoqëria civile nuk duhet me ndërhy në proceset e institucioneve. Sepse e dijmë që Flutura ka ndërhy në punët e anëtarëve të bordit dhe në përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj. Ato që i ka thënë Flutura janë krejt të pavërteta”, tha Haziri për Nacionalen.
E deputetja e AAK-së Albana Bytyçi, e cile ishte pjesë e këtij komisioni për intervestimin e kandidatëve, tha për Nacionalen se sot ka qenë dëshmitare e një politike të ndyrë të partisë në pushtet.
“Sot kam qenë pjesë e komisionit për anërtar të bordit të RTK-së, plotësim i bordit, ku isha dëshmitare e një politike të ndyrë të deputetëve të partisë në pushtet. Një process aspak transparent, jo profesional e me pyetje tendencioze, jashtë atyre që ne si grup i kemi formuluar”, tha deputetja Bytyçi.
Duke e parë këtë situatë Albana nga AAK dhe Agim Veliu nga LDK, kanë vendosur të mos e nënshkruajnë procesverbalin dhe të abstenojnë.
Juristja Kusari ka thënë se procesi duhet të përsëritet nësë Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të shkatërrojë, punën e mrekullueshme të cilen e ka bërë deri tani Radio Televizioni i Kosovës.
Bordi i RTK-së është ëmëruar muaj më parë në krye me Besnik Boletinin dhe anëtarët Arta Berisha, Albulena Mehmeti, Fatime Lumi, Shukrije Rama, Driton Hetemi.
Përderisa drejtor u zgjodhë Shkumbin Ahmetxhekaj javë më parë.

