Deputetët si “makina votuese”: Qeveria s`diskuton me ligjvënësit e VV-së, vetëm i “urdhëron” - NACIONALE

Deputetët si “makina votuese”: Qeveria s`diskuton me ligjvënësit e VV-së, vetëm i “urdhëron”

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje dikur kritikonte qeveritë e kaluara se deputetët e tyre i kanë shndërruar në “makina votuese”. Duket se ky standard nuk ka ndikuar as në këtë mandat. Në të njëjtën mënyrë po vepron edhe Qeveria Kurti me deputetët e partisë më të madhe në vend.

Ligjvënësit që janë larguar nga kjo parti kanë treguar të dhënë tronditëse për sjelljet që bën qeveria ndaj grupit parlamentar të VV-së.

Ata kanë bërë me dije se kabineti qeveritar asnjëherë nuk konsultohet paraprakisht me deputetët për ligjet apo strategjitë që sillen për miratim në Kuvend.

Deputetët Fatmir Humolli dhe Haki Abazi, që se fundi janë larguar nga grupi më i madh parlamentar në vend, kanë treguar se aty deputetët vetëm urdhërohen për votim.

Deputeti Humolli ka thënë se ligjvënësit e kësaj partie nuk janë pyetur as për përbërjen e kabinetit qeveritar në fillim të mandatit

“U ba qeveria e Albin Kurtit pa diskutim me deputetët. Na e kanë sjell listën për me e votu qeverinë pa e diskutu me deputetët”, ka thënë Humolli mbrëmë në emisionin “Pressing”.

Ai ka treguar se mungesën totale të bashkëpunimit mes Qeverisë dhe grupit parlamentar.

Sipas tij, në vitin e parë të qeverisjes kryeministri Kurti vetëm njëherë është takuar me deputetët e tij.

Qeveria e ka metodën e punës, i ofron projektligjet dhe neper komisione(parlamentare) bëhen vërejtjet. Por, para se me e ofru projektligjin nuk diskuton përpara me deputetët. Pra, i ofrojnë projektligjet dhe tani brenda komisioneve po bëhet një garë në mes të pozitës dhe opozitës. Pozita për me i kalu, e opozita me i rrëzu. Domethënë nuk diskutohet paraprakisht”, është shprehur.

Sipas tij, kjo nuk është demokratike.

Për mendimin tim është dashur që nëse qeveria ka një problem në arsim, ata me na pyet se si ta zgjidhim. Këtu nuk është ajo metodë e punës. Këtu neve na kanë qitë para aktit të kryer për me i mbrojt vendimet e qeverisë”, është shprehur ai.

Humolli ka treguar edhe raste konkrete kur deputetëve u është kërkuar vetëm të votohet.

Përshembull strategjia kombëtare(për siguri) na ka ardhë në komision dhe na thanë se duhet me e votu. Kur e pamë, ishte strategji amatore. Dhe po vjen një përfaqësues i komisionit dhe tha se kemi biseduar me ambasadën bullgare dhe do ambasada tjera dhe neve deputetëve na kishin sjell vetëm ta votojmë. Dhe na thanë se nuk ka mundësi me ndryshu kurrgjë hiç. Dhe unë kam thënë se nuk mujë me e votu dhe kam abstenuar për hir të kolegialitetit brenda shumicës”, ka thënë ai.

Edhe deputeti Abazi, të cilin VV-ja javën e kaluar e ka përjashtuar nga grupi parlamentar ka treguar fakte tronditëse.

Ai ka thënë se partia më e madhe në vend deputetët i përdor si makina votimi.

Mendoj se ka shumë përbrenda. Këto janë biseda që zhvillohen ndërmjet deputetëve. Ka shumë që janë të pakënaqur me mungesën e hapësirës për të diskutuar e për të qenë pjesëmarrës në procese dhe konsiderohen si mekanizëm i votimit për ose kundër”, ka thënë Abazi në emisionin “DPT te Fidani”.

Sipas tij, “urdhri ” që të votohet ose të mos votohet një projektligj jepet në grupin e “WhatsApp”-it të grupit parlamentar.

Ka shumë raste kur në grup në WahatsApp thuhet votoni ‘për’ ose votoni ‘kundër’, ndërsa nuk është bërë fare biseda”, ka thënë Abazi.

Pakënaqësitë tjera brenda grupit

Pakënaqësi me mënyrën e funksionimit të Grupit Parlamentar të VV-së kanë shprehur edhe deputetët që ende janë pjesë e partisë në pushtet.

Më herët, edhe deputeti i VV-së, Visar Korenica, kishe deklaruar se në grup nuk diskutohen gjerat që do të votohen në Kuvend.

Personalisht jo, sa u përket relacioneve shefe dhe deputet. Por kam pasur pakënaqësi me mënyrën se në shumë raste nuk është menaxhuar mirë situata brenda grupit parlamentar dhe ka krijuar pakënaqësi brenda deputetëve, apo nuk janë marrë për bazë kërkesat e tyre"- ka thënë Korenica.

Ai ka bërë me dije se në grup nuk ka pajtueshmëri paraprake për projektligjet që sillen për miratim në Kuvend.

"Sillet një projektligj për votim dhe nuk ka dakordësi paraprake për atë. Ka pasur raste të tilla që nuk është pranuar propozimi i dikujt që me pasë kujdes për çështje të caktuar dhe është vepruar pa miratim"- ka thënë Korenica në emisionin “Pressing”.

Gjithashtu edhe deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, kishte shprehur pakënaqësi.

Largimi i deputetëve, Doarsa Kica-Xhelili, Fatmir Humolli, Haki Abazi si dhe shkuarja në pushim të lehonisë të deputeteve Saranda Bogujevci dhe Tinka Kurti ka vështirësuar miratimin e ligjeve të Qeverisë në Kuvend.

Shefi i Grupi Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e ka pranuar se tani Qeveria në Kuvend funksionon me vetëm 61 deputetë aktiv.

Lajme të ngjashme