"Është diçka normale": Çka thoshte dikur VV-ja për largimin e qytetarëve?
Një debat i nxehtë, e që s’është dialogu, është hapur së fundi. Ka të bëjë me largimin e qytetarëve nga Kosova. Të shumë qytetarëve. Por, duket se Qeveria Kurti s’është aspak e brengosur, bazuar në disa deklarata të zv. kryeministrit Besnik Bislimi. Çka mendonte VV-ja në opozitë për këtë problem?
Qeveria Kurti ka premtuar ndryshim të madh e rrënjësor në Kosovë pas ardhjes në pushtet. Por, duket se shumë qytetarë nuk janë bindur nga ky premtim, që kanë marrë rrugën drejt shteteve perëndimore për një të ardhme më të mirë.
Veç në vitin 2021, u larguan 41 mijë qytetarë të Kosovës. Mes këtyre të ikurve, ka edhe shumë profesionistë shëndetësorë.
Por, duket se zv. kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk është i shqetësuar pasi e ka konsideruar këtë fenomen si “normal”.
“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Evropën Lindore ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmë milioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës,” - u shpreh zv. kryeministri i Kosovës para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.

Por, Vetëvendosje në opozitë ishte shumë e shqetësuar duke i dedikuar shumë kohë këtij fenomeni, dhe duke i bërë me faj qeveritë e kaluara.
“Është modeli i dështuar ekonomik ai që po i dëbon njerëzit.” – thuhej në komunikatën “Azili midis nesh” të publikuar në uebsajtin zyrtar të VV-së që i kushtohej pikërisht kkësaj problematike. Sidoqoftë, aktualisht duket se modeli ekonomik nuk është i dështuar, e megjithatë njerëzit – folur me gjuhën e kësaj komunikate – po dëbohen.
Komunikata në fjalë ishte shkruar në fund të vitit 2014, kur edhe kishte nisur një valë e madhe e ikjeve nga Kosova.

Pak muaj më pas, në VV do të publikohej një tjetër komunikatë e titulluar “Dy rrugët e autobusit në Republikën e pakicës”.
Aty shkruhej se ikja e shqiptarëve ishte në fakt në leverdi të Qeverisë së Kosovës por edhe Qeverisë së Serbisë.
“Ikja e shqiptarëve të pakënaqur i leverdis edhe Qeverisë së Kosovës edhe Qeverisë së Serbisë ashtu sikurse edhe mafiozëve të ndryshëm që kontrabandës me naftë, cigare, drogë e barna po ia shtojnë edhe trafikimin me njerëz...”

Tutje, aty akuzohet në mënyrë direkte edhe Qeveria Mustafa që ishte formuar në fund të vitit 2014.
“Kur kësaj iu shtuan vota e Isa Mustafës për Kadri Veselin për kryeparlamentar, programi qeveritar pa shifra për dallim nga fushata elektorale me premtimet për 200.000 përkatësisht 120.000 vende të reja pune, e deri te buxheti 2015 i kopjuar nga viti paraprak, gjithçka u bë e padurueshme.” - theksonte kjo komunikatë e publikuar në Vetëvendosje.org.
Por, Glauk Konjufca e kishte dhënë deklaratën më të fortë duke u shprehur në mënyrë të qartë se qytetarët po iknin pasi e kishin kuptuar se kush do të ishte në Qeveri.
“Nuk jam befasuar me këto pamje të dy netëve të fundit, prej kur u bë e ditur përmbajtja e qeverisë së ardhshme. Po ndodhin dy ditë ose tri ditë pasi kuptuan se kush do të jetë në Qeverinë e re,” – kishte thënë ai në vitin 2017.
Edhe kryeministri Kurti ka folur për ikjen e qytetarëve, dhe ka folur po ashtu me fjalë relativizuese.
“Disa largohen, por disa kthehen. Dy prej ministrave të mi janë kthyer nga jashtë.”