Dënimi i Calit: Kurti e quan "indinjues", ShBA-ja e Gjermania e përshëndesin - Osmani hesht
Akgjtykimi dënues prej 26 vitesh burgim për Salih Mustafën, ish-komandant i UÇK-së, nga Gjykata Speciale ka ngjallur shumë reagime. Ky vendim e ka vendosur Albin Kurtin, kryeminsitër i Kosovës, dhe ndërkombëtarët në pozicione të kundërta. Përderisa Kurti e quajti dënim “indinjues” vendimin e Speciales, ShBA-ja dhe Gjermania e kanë përshëndetur aktgjykimin.
E diku në mes, si shumë herë të tjera, është zonja Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, e cila nuk ka shkruar as një shkronjë të vetme për rastin e Mustafës. Ajo as nuk e ka përshëndetur vendimin e Speciales, por as nuk e ka komentuar me tone kritike këtë aktgjykim.
Ndërkombëtarët
Sot gjatë ditës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më konkretisht zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, u deklarua për çështjen e aktgjykimit të Sepciales. Ned Price, zëdhënës i DASH-it, përmes një deklaratë për media, sqaroi se ShBA-të e “mirëpresin verdiktin” në rastin kundër Salih Mustafës, ish-komandant Cali.
“Shtetet e Bashkuara e mirëpresin verdiktin në rastin kundër Salih Mustafës, rasti i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfshin akuza për krime lufte. Mustafa, ish-komandant në njësitin gueril BIA të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u dënua për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturimit dhe vrasjes, të kryera në një qendër të BIA-s për ndalim e marrje në pyetje më 1999 dhe u dënua me 26 vjet”- thuhej në deklarimin e Price.
Tutje, Price ka theksuar se ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së ose Kosovës.
“Siç theksoi Paneli Gjykues, vendimi nuk është gjykim kundër UÇK-së ose Kosovës, por lidhet vetëm me përgjegjësinë individuale kriminale të të pandehurit”- tha Price.
Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në reagimin e tij shkroi se ky aktgjykim është “i rëndësishëm dhe e forcon shtetin e së drejtës”.
Rohde shkroi se aktgjykimi i Specialës është ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, e nuk është aktgjykim ndaj UÇK-së.
“Gjykim i rëndësishëm që forcon shtetin e së drejtës. Ky është një aktgjykim ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, jo një aktgjykim ndaj UÇK-së. Po aq e rëndësishme është vendosja e drejtësisë për viktimat - pa mosndëshkim." - ka shkruar Rohde.
Albin Kurti...por jo Vjosa Osmani
Në një postim të premten mbrëma, Albin Kurti, kryeminsitër i Kosovës, e bëri të qartë qëndrimin e tij kundrejt vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, që janë me seli në Hagë.
Duke e krahasuar vendimin ndaj Mustafës me dënimet ndaj pjesëmarrësve në masakrën e familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, Kurti e quajti vendim “indinjues.”
“E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet.
Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?” – shkroi ndër të tjera ai.
Tutje, Kurti theksoi se shpreson që institucionet e pavarura të drejtësisë të kuptojnë “padrejtësinë dhe të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit”.
“Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.
Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë.” – shkroi tutje z. Kurti.
Por, për këtë çështje e heshtur ka mbetur zonja Osmani, presidente e vendit, e cila nuk ka shkruar ende për këtë çështje.
Për çka u dënua Salih Mustafa?
Dhomat e Specializuara kanë mbajtur dje seancën përfundimtare rreth akuzave ndaj Salil Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë luftës. Në seancën e së premtes, Gjykata Speciale vendosi për akuzat për krime lufte që i ngarkoheshin Mustafës.
Mustafa u shpallë fajtor në 3 nga 4 pikat për të cilat akuzohej. Ai u shpalë fajtor, për ndalim arbitrar, torturë si dhe për vrasje të paligjshme. Duke e dënuar me dënim unik prej 26 vjetëve.
Kurse u shpall i pafajshëm për pikën 2 që kishte të bënte me trajtim çnjerëzor.


