“Demokracia e keqkuptuar”: Çka na tha AShAK-u për rezultatet në PISA dhe arsimin e Kosovës? - NACIONALE

“Demokracia e keqkuptuar”: Çka na tha AShAK-u për rezultatet në PISA dhe arsimin e Kosovës?

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) dje lëshoi një komunikatë relativisht të gjatë në lidhje me gjendjen në arsimin kosovar. Përmes 793 shkronjave, AShAK-u vjen në përfundime absolutisht pesimiste, ndërsa jep edhe këshilla se si të vazhdohet tutje në mënyrë që të përmirësohet situata në arsim. Por a na tha gjë të re Kryesia e Akademisë?

Në shkrimin e AShAK-ut vërehet një dozë krenarie për analizat e drejta të mëparshme të këtij institucioni, por edhe qëndrime plot mërzi e trishtim. Në krye të shkrimit, Akademia, që udhëhiqet nga Mehmet Kraja, emër i njohur i jetës publike kosovare, u kujton lexuesve se AShAK-u edhe “më herët ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet”.

Në vazhdim të shkrimit, AShAK-u konkludon se, ashtu siç pritej, testi i PISA-s nxori një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë. Në pikëvështrimin e AShAK-ut, për gjendjen e keqe të arsimit, fajtorë jemi të gjithë ne. Pra AShAK-u na mban përgjegjës në mënyrë kolektive.

“Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë. Të gjithë në një mënyrë ishim të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte, se situatën në arsim e kemi alarmante, vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetë sistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese” – shkruan AshAK-u.

Në fjalinë pasuese, vërehet lehtësisht ndikimi botëkuptimor dhe ai stilistik i Krajës në këtë komunikatë, pasi AshAK-u flet për një “demokraci të keqkuptuar”, pak a shumë i njëjti diskurs sikurse kur që fliste për problemin e emancipimit të vajzave.

“Në emër të një demokracie të keqkuptuar, ne e kemi liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor e kemi bërë kaotik dhe e kemi kthyer në “ndërmarrje vullnetare”, me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim”– shkruhet tutje në këtë komunikatë.

Pasi përfunduan konkludimet, shkrimi i AshAK-ut vijon me disa këshilla, ku denoncohet një “decentralizim i keqkuptuar” dhe kritikohet, me të drejtë, politizimi i arsimit në Kosovë.

“E dyta, sistemi shkollor duhet të depolitizohet në tërësinë e tij, sepse politizimi i shkollës është faktori kryesor që ka shkaktuar kaosin në shkollë dhe në të gjitha nivelet e arsimit. Fajtorë për këtë gjendje janë njësoj, si pozita si opozita, sepse opozita e sotme ishte pozitë e djeshme dhe anasjelltas, në një kohë që degradimi i shkollës është një proces që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj periudhe” – vazhdon komunikata e AShAK-ut.

Në shkrim, Akademia e kritikon edhe SBAShK-un, duke ia kërkuar depolitizimin dhe shmangien e vendimmarrjes së tyre në procesin arsimit.

“E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin”– shkruhet tutje në komunikatën e AshAK-ut, ndaj të cilës ka reaguar Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut.

Në fund, AshAK-u tregon edhe disa ide të tjera për përmirësimin e arsimit në Kosovë, duke sqaruar se është i gatshëm që të japë kontribut për “tejkalimin e kësaj situate në shkollën tonë kombëtare”.

Lajme të ngjashme