Dedaj reagon pas raportimit të Nacionales dhe shpërthen me akuza: Aktakuza është ngritur me porosi të Vjosa Osmanit
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, së shpejti do të përballet në Gjykatë me presidenten Vjosa Osmani.
Kjo pasi Nacionale raportoi dje se ndaj Dedajt është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosje”. Kjo pas disa deklaratave në emisionin Frontal në T7, ku Dedaj e përmend edhe Kanunin.
E Dedaj në rrjete sociale ka reaguar me një postim të gjatë. Ai ka pretenduar se aktakuza i është ngritur me porosi nga presidentja Vjosa Osmani, ndaj të cilës ka pasuar akuza të rënda.
“Ngritja e shpifur, e sajuar dhe e porositur e aktakuzës së Vjosa Osmanit, ndaj meje në emër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është nje akt i shëmtuar, hakmarrës dhe linçues,i cili ka për qëllim mjegullimin e dështimeve të kësaj asistente për falimentimin e politikës së jashtme, të partneritetit euro-atlantik dhe të diplomacisë së Kosovës!”, ka shkruar Dedaj.
“E njohur tashme si pirate dhe profitere politike, Vjosa Osmani me këtë tendencë për trafikim të drejtësisë, dëshmon ambiciet e saja të sëmuara, për të kapur Prokurorinë, Gjyqësinë, dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, afër dy vite kjo nuk e dekreton Kryeprokurorin e Kosovës, me qëllim për të vënë nën kontroll dhe në shërbim të sajë personal dhe të pushtetit, institucionet prej të cilave politika dhe shteti, në vendet tjera demokratike , qëndrojnë sa më larg tyre”, ka thënë ai.
“Sulmi i Vjosa Osmanit ndaj meje është bërë që nga ardhja e dyshimtë, siq thone përmes votave të kontrabanduara të pas mesnatës në krye të presidencës, siq dyshohet edhe me ndihmen e Listës Serbe, për të filluar hakmarrjet politike me metoda të Gestaposë raciste, nepotiste dhe staliniste, me shkarkimin tim nga pozita e ambasadorit në Shkup, per t'a dërguar pastaj fillimisht burrin e vetë, "zotëriun e parë" të saj, në krye të ambasadës!”, thuhet më tutje në postim.
Dedaj ka thënë se aktakuza ndaj tij lidhet me Erdoganin të cilin e ka quajtur mik të ngushtë të Osmanit. E ka përmendur edhe Gjykatën Speciale.
“Shpifja për gjoja kanosjen e sajë përmes kanunit nga ana ime, është një kërcënim dhe trillim monstruoz dhe genjeshtër e ultë, si dhe kurth i saj që lidhet edhe me mikun e ngushtë të sajë Erdogan, por e aktualizuar edhe me dëshminë time në Gjykaten Speciale në Hagë, për të nxitur drejtpërdrejt kërcënime fizike ndaj meje, si dhe hakmarrje politike për qëndrimet e mija kritike ndaj pushtetit aktual dhe Vjosa Osmanit, e kacavjerrur herë në LDK e tash në VV, dhe në vend që të luaj rolin e figurës unifikuese, si obligim kushtetues, ajo është bërë një përqarëse e cila nxitë urrejtje dhe tërmet ndërmjet pozitës dhe opozitës, partive politike dhe më gjërë. Halli i sajë ësht së po i numëron muajtë për tu larguar kokëulur nga ajo zyre, në të cilen kishte hyre "nëpër dritare" dhe se çifti Osmani nuk do mund marrin më disa qindra mijëra euro e benificione nga buxheti i Kosovës, për mbulimin e shpenzimeve për vilat luksoze në Marigona Hill apo në Australi ku ishin azilant gjate luftës në Kosovë”, shkroi Dedaj.
Dedaj e ka mohuar se e ka kërcënuar presideten Osmani.
“Une asnjërë nuk e kam kërcënuar as kanosur askend dhe më së paku një grua as me fjalë, as me ligj as me kanun, sepse po të isha i tillë ajo nuk do më kishte shkarkuar as nuk do të keqëpërdorte pushtetin dhe ligjin për aktakuza të rrejshme politike dhe bolshevike ndaj meje. Por siq duket, kjo e ka marrur përsipër porosinë dhe misionin, për të na pëndjekur dhe kërcënuar, me qēllim për të na shpërngulur nga Kosova, me metoda linçuese, shantazh e diskriminim, ashtu siq bënin presion dikur regjimet e kaluara. Këtë nuk ka mundur t'a bejë as Turqia në shekujt e kaluar, as Millosheviqi në dekadat e fundit, e këtë nuk do mund t'a bëjë kurrë as e ashtuquajtura presidente Osmani!”, përfundon postimi me shumë akuza i Gjergj Dedajt.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.
Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.
Sipas Kodit Penal, neni 181 paragrafi 1, Dedaj mund të dënohet me gjobë ose gjashtë muaj burgim për kanosje. Kurse, sipas paragrafit 3 dënimit mund të jetë nga gjashtë muaj deri në 5 vjet burgim.
“Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, kishte thënë Dedaj.
Nacionale ka tentuar dje të kontaktojë me Dedajn por që ai nuk është përgjigjur.