DASh-i: Amerika nuk ka ndryshuar pozicionin për njohjen reciproke Kosovë-Serbi
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se SHBA nuk ka ndryshuar “pozicionin për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë” pavarësisht pse kjo çështje nuk u përmend në letrat e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
Sipas raportimit të REL, ky zëdhënës i DASH-it, ka theksuar se SHBA mbeshtet dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe përmes të cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me qëllim përfundimtar njohjen reciproke.
“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit synohet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse me qëllim përfundimtar njohjen reciproke.” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, mospërmendja e njohjës reciproket në letrat e Bidenit dhe Blinkenit dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.
Mediat serbe raportuan se në letrën që Biden i dërgoi Vuçiqit nuk u përmend njohja reciproke.
Ndërkaq, në letrën që tashmë është publikuar edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, Blinken thotë ShBA-të janë mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë për anëtarësim në BE.
“Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.” – ka thënë ai.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për letrën e Bidenit ka thënë se nuk e ka lexuar e as shkruar.
Kurti në një prononcim para gazetarëve, ka thënë se “nuk e ka lexuar atë letër dhe natyrisht, nuk e ka shkruar ai”.
Gjithashtu zëdhënësi i DASH-it Ned Price, i tregoi faqes “Pavlovic Today” se çfarë qëndron pas optimizmit të Blinkenit për marrëdhëniet ShBA – Serbi.
“Sekretari Blinken është plotësisht optimist. Mendoj se duhet të jeni optimist, nëse do të jeni në punën e diplomacisë. Mendoj se kjo është ajo që na motivon shumë nga ne, duke ditur se, përmes angazhimit të ShBA-së, përmes udhëheqësisë amerikane në skenën botërore, ne kemi një mundësi për ta ndryshuar botën për të mirë, për ta lënë botën pak më të sigurt, pak më të qëndrueshme, më të begatë dhe të mbushur me mundësi ekonomike në këtë shtet, por edhe për njerëzit përreth botës. Mendoj se e shihni këtë optimizëm të pasqyruar në deklaratën që ai e lëshoi sot”- tha Price.
Price gjithashtu theksoi se Blinken ka vëmendjen e plot në tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Siç e dini, sekretari ka qenë personalisht i përfshirë në shumë prej këtyre çështjeve në rajon. Tensionet mes Kosovës dhe Serbinë janë diçka që e kanë vëmendjen e tij të plotë”- ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Në Kosovë pati reagime të shumta për mospërmendjen e njohjes reciproke.
Njohja reciproke është një prej kërkesave kryesore e kryeministrit, Albin Kurti.
Njohja reciproke nuk përmendet as në propozimin e BE-së që Kurti e ka pranuar në parim dhe që së shpejti pritet të takohet me Vuçiqin për të negociuar mbi këtë plan.


