Darka modeste e Kurtit me Memli Krasniqin që kushtoi 200 euro: Sa kushtuan të tjerat? - NACIONALE

Darka modeste e Kurtit me Memli Krasniqin që kushtoi 200 euro: Sa kushtuan të tjerat?

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Një darkë e mbajtur javë më parë në hotel ‘Garden’ mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, ishte nisja e një diskutimi për mundësinë e zgjedhjeve në Kosovë.

Megjithatë, dakordimi për zgjedhje nuk u arrit pasi LDK-ja dhe AAK-ja kërkuan dorëheqjen ose shkarkimin e Kurtit, e jo zgjedhje me shpërndarje të Kuvendit.

Pavarësisht se ajo që u dakordua në darkë për zgjedhje nuk u realizua, pagesa u krye nga buxheti i shtetit. Megjithatë, çmimi po del se nuk ishte i lartë.

Nacionale bazuar në kërkesën për Qasje në Dokumente Publike ka siguruar informacionin zyrtar nga Qeveria e Kosovës se darka mes Kurtit e Krasniqit ka kushtuar 200 euro.

“Darkë pune me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin. 4 persona – 201.70 euro”, thuhet në përgjigjen e qeverisë për Nacionalen.

Pak a shumë njëjtë kushtoi edhe darka e Kurtit me përfaqësuesit e Listës Guxo, Donika Gërvalla e Faton Peci.

“Darkë pune me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, Donik Gërvalla dhe Faton Peci, dhe kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. 4 persona – 216.60 euro”, thuhet më tutje.

Më e shtrenjta, sigurisht si rezultat i pjesëmarrjes nga më shumë persona, ishte darka që pati Kurti me përfaqësuesit e komuniteteve në Kuvend. Ajo u pagua mbi 800 euro.

“Drekë pune me partnerët e koalicionit qeverisës dhe përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend. 14 persona – 802.40 euro”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Në total nga këto takime, Qeveria e Kosovës pagoi pak më shumë se 1 mijë e 200 euro.

Darka Kurti-Krasniqi

Për herë të parë në një paraqitje publike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu edhe zyrtarisht dëshirën e tij që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo në një darkë me rivalin e tij nga PDK-ja, Memli Krasniqin.

Madje, Kurti foli edhe për stinën kur është më mirë që të mbahen zgjedhjet. Tha se pranvera e vjeshta, janë kohë ideale. Por që, u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën për caktimin e datës.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me opozitën se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Në përgjithësi janë pranvera dhe vjeshta më të përshtatshme për zgjedhje por nëse shkon mandati deri në fund do të mbahen në dimër. Por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi parë kaherë dhe kishim shumë gjëra për të diskutuar. Duhet të diskutojmë më të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data që pajtohemi më së shumti pë zgjedhje”, ka thënë ai.

Ngjashëm për zgjedhje të parakohshme u deklarua pas asaj darke edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Është evidente që unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit. Nga takimet që kemi në çdo cep të Kosovës ne nuk jemi në gjendje të mirë. Kosova është në agoni, kemi ekonomi të stagnuar, kemi rritje enorme të çmimeve me paga dhe pensione të vogla që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare ta lidhin muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje të rëndë, arsim të degraduar dhe politikë të jashtme pothuajse inekzistente. Për më shumë një parlament jofunksional ku barten pikat nga muaji në muaj. Tani kemi edhe situatë të rënduar edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në KiE. Si duket do të jetë dështim. Ja shpreha edhe Kurtit që duhet përshpejtuar puna për t’u dhënë zgjidhje këtyre temave. PDK e ka nominuar edhe kandidatin për kryeministër, por për të arritur deri aty duhen zgjedhje parlamentare”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Për darkën që mund të quhet lirisht si Darka e Zgjedhjeve, pati reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S'ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka thënë Haradinaj.

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër - Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka shkruar ai.

Si rezultat i dështimit për koordinim, mundësia e dale nga kjo darkë për zgjedhje të reja nëpërmjet shpërndarjes së Kuvendit, dështoi.

Lajme të ngjashme