Darka e "Zajednicës" i kushtoi Kurtit 320 euro: Qeveria s'nis faturën, s'dihet nëse prapë morën oktapoda - NACIONALE

Darka e "Zajednicës" i kushtoi Kurtit 320 euro: Qeveria s'nis faturën, s'dihet nëse prapë morën oktapoda

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrëmjen e 25 janarit të vitit 2023, emisari evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak do të vinte në Kosovë në një darkë ku mes tjerash, siç duket ishin diskutuar edhe marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë. Diplomati sllovak, pas përfundimit tha se me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, janë pajtuar që të respektohen këto marrëveshje. Megjithatë, derisa po bisedonin, ata edhe kanë darkuar, në një darkë që u kushtoi 320 euro.

Zyra e Kryeministrit i ka dhënë Nacionales një përgjigje të përgjysmuar sa i përket kësaj darke, pasi që nuk është nisur fatura e darkës, por vetëm është treguar sa ka kushtuar e njëjta.

Megjithatë, nga ajo që kemi mësuar përmes kërkesës për për qasje në dokumente zyrtare, darka kushtoi 320 euro.

Këtu, siç na është konfirmuar nga Zyra e kryeministrit Kurit, përfshihen edhe shpenzimet e stafit përcjellës të emisarit Lajçak dhe të pranishëm, kanë qenë 10 persona.

S’dihet nëse u ushqyen me oktapodë

Një darkë e 31 majit të vitit 2021, i kishte kushtuar Zyrës së Kryeministrit rreth 375 euro. Aty, të pranishëm ishin gjithsej tetë persona.

Kallxo.com atë kohë kishte siguruar faturën e plotë nga ky institucion, ku shihej se të pranishmit në darkë, Albin Kurti, Vjosa Osmani, Besnik Bislimi, Donika Gërvalla, që priten Mirsolav Lajçak, Matthew Palmer, Philip Kosnett e Tomas Szunyog, kishin konsumuar ushqime deti.

Oktapodë, salmon e levrek, dukej të kishin qenë preferencat ushqime e të lartëpërmendurve në darkën e asaj kohe.

Darka e Zajdenicës?

Asociacioni, apo Zajednica siç e quan kryeministri Albin Kurti, kishte qenë një prej çështjeve të diskutuara në darkën e muajit që lamë pas.

Detajet, si zakonisht për këto takime, nuk i mësuam nga institucionet e vendit, por nga emisari Lajçak i cili do të shkruante një shkrim në Twitter, ku mes tjerash, përmendeshin edhe marrëveshjet e kaluara. Për këto, ai tha se kanë rënë dakord se duhet të respektohen.

U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe ZKM Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.” – kishte thënë Lajçak rreth takimit.

Vlen të theksohet, se disa ditë më vonë, Lajçak u takua edhe një herë me Kurtin e Bislimi në një drekë pune në një prej hoteleve në kryeqytet.

Edhe pas këtij takimi, emisari evropian do të bënte një deklaratë që tërhoqi mjaft shumë vëmendje, duke thënë se “Kosova e ka pranuar planin franko-gjerman”.

Udhëtova në Prishtinë për të takuar kryeministrin @albinkurti dhe zv. kryeministrin @BislimiBesnik dhe në Beograd për të bërë të njëjtën gjë me @predsednikrs @avucic dhe @PetkovicPetar. Më vjen mirë që edhe Kosova tani e pranoi Propozimin në parim. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona në një takim të nivelit të lartë.” – kishte thënë Lajçak përmes një shkrimi në Twitter.

Lajme të ngjashme