Cufaj për protestat në Tiranë: Perëndimi i lexon si “zgjim demokratik”, por harron rrugën e Shqipërisë drejt BE-së - NACIONALE

Cufaj për protestat në Tiranë: Perëndimi i lexon si “zgjim demokratik”, por harron rrugën e Shqipërisë drejt BE-së

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkrimtari, gazetari dhe ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka komentuar protestat që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si ato po perceptohen nga opinioni perëndimor.

Në një reagim në platformën X, Cufaj shkruan se protestat kanë marrë vëmendje dhe simpati përtej Shqipërisë, pasi pamjet e tubimeve, flamujve dhe sloganeve kundër shitjes së vendit krijojnë lehtësisht imazhin e një revolte qytetare.

Por, sipas tij, kjo mënyrë leximi lë në hije një zhvillim tjetër të rëndësishëm: faktin që Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Cufaj argumenton se vendi nuk duhet parë vetëm përmes pamjeve të protestës, por edhe përmes procesit të integrimit europian, i cili, sipas tij, e vendos Shqipërinë më afër se kurrë objektivit historik të anëtarësimit në BE.

Ai thekson se nuk kërkon që vëmendja ndaj protestave të ndalet, por ngre pyetjen pse e njëjta audiencë që i sheh ato me romantizëm flet shumë më pak për destinacionin politik dhe europian të vendit.

Në reagimin e tij, Cufaj sqaron gjithashtu se e njeh prej vitesh kryeministrin Edi Rama dhe se komenti i tij nuk duhet lexuar si qëndrim neutral, por si një reflektim mbi mënyrën se si Shqipëria paraqitet nga jashtë në një moment politik të ndjeshëm.

Lajme të ngjashme